Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, është shprehur i shqetësuar me arrestimet e fundit të zyrtarëve policorë në pikat kufitare nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës e korrupsion.
Zeqiri, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se arrestimi është veprimi i fundit që duhet të ndërmarrin institucionet përgjegjëse, pasi të kenë siguruar prova të mjaftueshme, për të cilat dyshon se i ka Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
“Shqetësimi i Sindikatës së Policisë së Kosovës rreth këtyre arrestimeve është se ka apo nuk ka prova të mjaftueshme për dyshim të bazuar, Inspektorati Policor i Kosovës me rastin e arrestimit të gjithë këtyre zyrtarëve policorë, është masa e fundit dhe masa më e rëndë jo vetëm për një zyrtar policor, por edhe për një qytetar të thjeshtë. Arrestimi është pjesa ku duhet të ketë prova të mjaftueshme dhe bazike me dyshim të bazuar se vërtetë ai e ka kryer një vepër penale për të cilën pretendohet ose në këtë rast pretendojnë IPK-ja”.
Madje ai shtoi se në dy rastet e fundit shumica e të arrestuarve janë liruar në procedurë të rregullut, duke e cilësuar arrestimin e kolegëve të tij sikurse të ndonjë kriminel të pakapshëm.
Prandaj ai ka kërkuar nga Inspektorati të mos bëjë arrestime të zyrtarëve policor para mediave, duke shtuar se kjo po krijon imazh të keq të qytetarëve për Policinë.
“Kemi dy rastet e fundit që është bërë arrestimi në kufi i zyrtarëve policorë, në rastin e parë 48 zyrtarë, 20 prej tyre janë liruar në procedura të rregullta dhe janë kthyer në shtëpi. Në rastin e dytë janë arrestuar 26 zyrtarë policorë dhe 14 prej tyre janë liruar dhe janë në shtëpi. Mënyra e arrestimit që është parë para medieve ka qenë sikur se të arrestoheshin ndonjë kriminel i pakapshëm. Ata nuk kanë qenë të rrezikshëm dhe nuk ka qenë mundësia e tyre për ikje për të bërë një arrestim të tillë në mënyrë spektakulare”.
“Ne si Sindikatë kërkojmë nga Inspektorati i Kosovës që mos të bëjë spektakël dhe arrestim të zyrtarëve policorë para kamerave. Unë e kam bindjen time se po bëhet spektakël me vetë faktin që zyrtarët policorë arrestohen para kamerave dhe ai bëhet lajm. E që është lajm i keq për shkak se me këto spektakle po krijojnë një imazh të keq të institucionit të Policisë para qytetarëve të vendit”.
“Ne si Sindikatë e Policisë e kundërshtojmë mënyrën e veprimit të Inspektoratit Policor gjatë arrestimit të zyrtarëve policorë. Uniforma është shteti prandaj këtu duhet të kemi kujdes. Është integriteti i vetë shtetit. Shumica e rasteve që arrestohen dhe intervistohen nga Inspektorati i Kosovës dalin të pafajshëm”.
“Ta kuptojmë tash se sa është ajo një njollë për një apo disa zyrtarë policor kur bëhet lajm se ai është arrestuar për një keqpërdorim dhe mbas një kohe shpallet nga gjykata i pafajshëm pa prova të mjaftueshme dhe i njëjti prapë kthehet në detyra zyrtare ku po mbetet integriteti i tij personal. Lajm gjithmonë po bëhet arrestimi i policit dhe asnjëherë nuk bëhet lajm pafajësinë dhe kthimi i tij në detyra zyrtare “.
Ai shpreh i bindur se Polciai nuk është e ndikuar nga politike dhe se mbetet institucioni më i besueshëm nga qytetarët, raporton EO.
“Unë shpresoj dhe besojë shumë se institucioni i policisë është prapë institucioni më i besueshëm në vend dhe në mënyrë grupore nuk është i ndikuar politikisht Policia. Ajo mund të jetë individuale, edhe tek veprat penale edhe tek ndikimi”.
Zeqiri ka treguar edhe për vështirësitë me të cilat ballafaqohet Policia e Kosovës, teksa theksoi se paga bazë e një polici është 392 euro.
Sipas tij, shqetësuese është mungesa e sigurimeve shëndetësor, e ligji për pensionim, duke sqaruar se për këtë pas pensionimit policët paguhen vetëm 100 euro në muaj.
“Policia e Kosovës nuk ka ligj të pagave. Është një pagë mjaft modeste. Paga bazë e një polici është 392 euro, jemi pa sigurim shëndetësor, pa ligjin i cili është i projektuar për pensionim, dhe zyrtari policor i cili del në pension aktualisht del me 100 euro pension. Kemi disa projekte që janë të bllokuara në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak se ai bord ende nuk është emëruar. Kemi edhe mungesa të tjera të nevojshme të veshmbathjeve, vetëm për shkak se ato projekte janë bllokuar. Zyrtarëve policorë nuk iu paguhet shujta, ndërrimi i natës iu paguhet aq pak sa që asnjëri nga qytetarët nuk do të pranonte të punonte në ndërrim të natës me një shtesë prej 4 euro e 70 centëve”.