Sindikatat e Shëndetësisë kërcënojnë me radikalizim të masave nëse s’iu përmbushen kërkesat

Prishtinë | 18 Sht 2020 | 16:01 | Nga Ekonomia Online

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka paralajmëruar radikalizim të masave nëse s’iu përmbushen kërkesat deri të hënën. FSSHK-ja të premten përmes një komunikate ka njoftuar se ka dorëzuar në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës një peticion të punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës.

Sipas njoftimit, është shprehur revolta e tyre për mosrealizimin e vendimit të Qeverisë për shtesat prej 300 euro për muajt korrik dhe gusht për stafin shëndetësor.

“Peticioni është mjeti i fundit juridik i ndërmarr nga FSSHK dhe anëtarësia e gjerë drejtuar institucionit të Kryeministrit, aq më shumë kur jemi dëshmitar të deklaratave të pa qarta të Kryeministrit në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në reagim të FSSHK-së.

Kjo Federatë e Sindikatave ka thënë se “në qoftë se nuk merren seriozisht nënshkrimet e punëtorëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës në drejtim të realizimit të kësaj të drejte, FSSHK nga e hëna do të dalë me veprime konkrete duke filluar nga dorëzimi i mjeteve transportuese të emergjencës, dorëzimi i mjeteve për pastrim nga ana e punëtorëve të higjienës, mosfunksionimi i sistemeve teknike dhe sigurimi i objekteve shëndetësore, të gjitha këto bijnë në përgjegjësinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ngase ne e kemi konsumuar dialogun social”.

Të ngjashme