Sindikatat e shëndetësisë në Kosovë takohen me ministrin Ismajli

Prishtinë | 27 Dhj 2018 | 15:56 | Nga Ekonomia Online

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK) me anë të një komunikate, njoftojnë opinionin e gjerë se sot ne ditën e dytë të Grevës së përgjithshme të punëtorëve shëndetësor , Këshilli Grevistë ka pasur takim me Ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismajli, në lidhje me situatën e re e cila është krijuar me rastin e mos përmbushjeve të premtimeve nga ana e Qeverisë.

“Nga takimi nuk kemi marrë as një premtim i cili do të ndikonte në ndërprerjen e Grevës. Duke u gjendur në situatë tepër të vështirë në të cilën më së shumti po pësojnë pacientët Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar takim urgjentë me Kryeministrin me qëllimin e vetëm që të gjendet një zgjidhje për daljen nga kjo situatë”, thuhet në komunikatën e dërguar nga FSSHK-ja.

FSSHK apelon në institucionet relevante respektivisht që të merrë seriozisht Grevën e cila është në zhvillim, në të kundërtën Greva dhe veprimet tjera sindikale do të vazhdojnë bazuar në vendimet e organeve më të larta të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

“FSSHK-ë i falënderon të gjithë punëtorët shëndetësor të cilët po qëndrojnë stoikisht ne Grevë e në veçanti popullatën e cila deri në këto momente është duke na kuptuar. Në fund Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës është shumë e vetëdijshme se po pësojnë pacientët dhe punëtorët shëndetësor por turpi dhe përgjegjësia mbetet te politik bërësit”, thuhet më tej nga FSSHK.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme