Kosova është njohur sot nga Singapori dhe janë vendosur marrëdhëniet diplomatike. Në notën verbale, thuhet se “në përgjigje të letrës së Ministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj të datës 24 qershor 2014 për Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Republika e Singaporit njeh Kosovën dhe vendos marrëdhënie diplomatike”.
“Një tjetër lajm i mirë për Kosovën. Singapori është shteti më i ri që e njeh pavarësinë e vendit tonë. Kam takuar e lobuar pa ndërprerë duke vizituar fillimisht këtë shtet në vitin 2013, zhvilluar shumë biseda e takuar sërish ministrin e Jashtëm, Vivian Balakrishnan në New York. Tani numërojmë 113 njohje” ka thënë Hoxhaj.
Singapori është shteti i 4 nga ASEAN që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Singapori është i vendosur në Azinë Juglindore dhe ka popullsi prej 5.7 milionë banorësh. Singapori është një nga vendet më të zhvilluara në botë dhe nga GDP për kokë banori është vendi i 3-të në botë.
Në të njëjtën kohë, Singapori ka pranuar pasaportat e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës mund të marrin vizë në misionet diplomatike dhe konsullore të Singaporit apo të aplikojnë online për e-vizë për të hyrë në Singapor që nga sot.
Ministri Hoxhaj do të vizitojë Singaporin në janar 2017 për të thelluar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe tregtare me Singaporin.