Sipas Beogradit, Berlini e do Kosovën vëzhguese në OKB

Prishtinë | 20 Mar 2018 | 12:26 | Nga

Dikush nga zyrtarët e lartë të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë, shefi i ri i diplomacisë Heiko Maas, ose sekretari i Shtetit, pritet që këtë javë, me siguri më 22 mars, të vizitojë Serbinë, me ç’rast do të prezantojë qëndrimin e Berlinit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruan sot “Danas” i Beogradit, duke u thirrur në burime të besueshme diplomatike, transmeton Koha.net.

Qëndrimi gjerman për Kosovën, siç shkruan kjo gazetë, nuk përbën ndonjë risi, Berlini vazhdon të insistojë për marrëveshje juridike detyruese midis Beogradit e Prishtinës, në mënyrë që këto të bashkëpunojnë në vend se të luftojnë.

Në këtë kontekst, Gjermania angazhohet për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, ku ajo fillimisht do të kishte statusin e vëzhguesit, sipas shembullit të Palestinës, shkruan “Danas”, transmeton Koha.net.

Gjermanët angazhohen po ashtu për avancimin e pozitës së serbëve në Kosovë, pra për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe dhe që, sipas kësaj gazete, ata të kenë më shumë besim në presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sesa në presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi

Berlini nuk konsideron se Serbia duhet të njohë edhe formalisht pavarësinë e Kosovës dhe ajo që propozon Berlini dhe më gjerë Perëndimi do të thotë njohje faktike, por jo formale, siç ia ka prezantuar kohë më parë Berlini personalisht Aleksandar Vuçiqit, thekson “Danas”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme