Sistemi antiraketor mund të vendoset në Estoni

Prishtinë | 31 Kor 2017 | 11:17 | Nga

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, dje e ka ngritur mundësinë e vendosjes së sistemit mbrojtës raketor, Patriot, në Estoni, ka thënë kryeministri i këtij vendi, Juri Ratas.

“Ne folëm për këtë çështje, por ne nuk kemi biseduar për datë ose kohë”, i tha zoti Ratas transmetuesit shtetëror, ERR, pasi Mike Pence e filloi një vizitë në këtë vend të vogël baltik, në kufi me Rusinë.

Sistemi mbrojtës antiraketor i Shteteve të Bashkuara, Patriot, është mobil, i vendosur në tokë dhe me kapacitet për interceptimin e raketave dhe aeroplanëve.

Kryeministri Ratas tha se me zëvendëspresidentin, Mike Pence, ka biseduar edhe për manovrat e planifikuara ushtarake të Rusisë, afër kufirit të Estonisë dhe se “Estonia, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, do të duhej t’i monitoronin ato dhe shkëmbejnë informacione”.

Zoti Pence, në ndaljen e parë të tij gjatë turneut, me ç’rast do ta vizitojë edhe Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, tha në kryeqytetin Talin të Estonisë, se Uashingtoni qëndron me vendet baltike dhe aleatët e tjerë në pjesën lindore të Evropës, që kanë shprehur shqetësim për qëllimet e Rusisë në rajonet përkatëse.

“Mesazhi ynë për vendet baltike, mesazhi im kur ne e vizitojmë Gjeorgjinë dhe Malin e Zi, do të jetë i njëjtë: për aleatët tanë këtu në Evropën Lindore, ne jemi me ju, ne qëndrojmë me ju në të mirë të lirisë”, tha Pence gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, Fox News.

Në Talin zëvendëspresidenti, Mike Pence, është takuar me presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, me ç’rast është biseduar për ekonominë digjitale, sigurinë kibernetike dhe për inovacione.

Planifikohet që ai do të qëndrojë edhe në Letoni dhe Lituani, që të dy këto shtete, së bashku me Estoninë, janë anëtare të NATO-s, të cilat dikur ishin nën sundimin e Moskës gjatë periudhës sovjetike.

Nga Talini, zoti Pence ndalet në Gjeorgji dhe në Mal të Zi, që është vendi më i ri anëtar i aleancës veriatlantike.

Zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara thonë se ky udhëtim shihet si vazhdim i vizitës së presidentit amerikan, Donald Trump, në Evropë, në fillim të muajit korrik.

Me këtë rast, zoti Trump pat qëndruar në Poloni dhe Gjermani, për të shprehur mbështetje për NATO-n, derisa gjatë këtij udhëtimi ai ka mbajtur takime me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në përpjekje për përmirësim të lidhjeve me Moskën.

Në fillim të presidencës së tij, Trump i pat zemëruar disa aleatë amerikanë pasi ai kishte dështuar që ta theksojë qartazi Artikullin 5 të Marrëveshjes për NATO-n, sipas të cilit sulmi kundër një anëtari të NATO-s paraqet sulm ndaj të gjitha shteteve anëtare të aleancës.

Por, më 6 korrik në Varshavë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se qëndron “fuqishëm prapa” Artikullit 5 dhe e ka kritikuar Rusinë për aktivitetet e saj në Evropë.

Estonia dhe Mali i Zi janë anëtarë të NATO-s, derisa Gjeorgjia ka shprehur dëshirë për bashkim me aleancën perëndimore.

I pyetur për përkushtimin e zotit Trump për dispozitën për mbrojtje reciproke të NATO-s, Pence u tha reporterëve në Talin të Estonisë, se administrata e Shteteve të Bashkuara “e ka bërë të qartë se politika e jonë është që të qëndrojmë fuqishëm me aleatët tanë në NATO dhe të qëndrojmë fuqishëm prapa Artikullit 5, se një sulm në njërin prej nesh, është sulm në të gjithë ne”.

Në Gjeorgji, zyrtarët e këtij vendi thanë se Mike Pence pritet ta theksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.

Gjeorgjia e ka përjetuar shkeljen ruse në territorin e saj.

Kremlini i ka njohur si shtete të pavarura dy rajone separatiste në Gjeorgji, Abhazinë dhe Osetinë Jugore, pas luftës pesëditëshe kundër Gjerogjisë, në vitin 2008.

Në këto dy rajone, Rusia i ka vendosur mijëra ushtarë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme