Sistemi gjyqësor në hall si t’i trajtojë në gjykatë gratë me burka

Prishtinë | 26 Pri 2019 | 17:41 | Nga Ekonomia Online

Në vende të ndryshme të botës, duke përfshirë Anglinë, viteve të fundit ishte bërë temë diskutimi fakti nëse është e lejuar që gratë myslimane të mbajnë veshje fetare që ua mbulon tërësisht fytyrën gjatë kohës sa janë në cilësinë e të akuzuarës, dëshmitares apo viktimës në procese gjyqësore.

Me një problematikë të tillë është duke u përballur Gjyqësori në Kosovë. Gjatë kësaj jave, dhjetëra gra të kthyera nga Siria u paraqitën në Gjykatën Themelore të Prishtinës duke mbajtur të veshur mbulesën fetare të njohur si burka që ia pamundësojnë gjyqtarit apo hetuesit që t’ua shohë fytyrën.

Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë përgjigje nga zyrtarët e Gjykatës Themelore të Prishtinës për faktin se si janë zhvilluar seancat gjyqësore ndaj grave të kthyera nga Siria, mirëpo Themelorja nuk ka kthyer përgjigje.

Njëra nga avokatet që përfaqëson një grua të kthyer nga Siria, Fortesë Mehmeti, thotë se klientes së saj, ditën që ajo u paraqit në gjykatë, nuk i është kërkuar heqja e mbulesës, megjithëse thotë se grave që u paraqiten në gjykatë, mund t’iu shiheshin sytë.

“Aso gjëra nuk ka kërkuar gjyqtari”, thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë e pyetur nëse gjyqtari kërkoi heqjen e burkas.

“Automatikisht ato (kërkesa) përjashtohen prej procedurës, as nuk ka hyrë në jetën personale të asnjërës, thjesht është mbajtur gjykim siç mbahet me të gjithë klientët, si me krejt procedurat e tjera. Nuk ka kërkuar askush prej tyre aso gjërash. Është esenca që atyre iu duken sytë nga pak nga mbulesa”, shprehet Mehmeti.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës kanë thënë se kjo çështje rregullohet në frymën e respektimit të të drejtave të njeriut, mirëpo nuk kanë ndonjë përgjigje specifike se si duhet të veprojnë gjyqtarët në këto raste.

Kryesuesi i KGJK-së, Skënder Çoçaj, thotë se nuk ka ndonjë rregullore që udhëzon se si duhet vepruar në rastet kur të pandehurat mbajnë mbulesa, siç është ferexheja ose ndonjë veshje tjetër në seanca gjyqësore.

Në Prokurorinë Speciale të Kosovës thonë se sikurse rasti i grave të kthyera nga Siria, është hera e parë që ata përballen me një problematikë të tillë.

“Kjo është hera e parë që edhe neve na ka rënë ta shohim si do t’ia bëjmë në të ardhmen, por ndoshta për hir të identifikimit, duhet të shikohet, ta heqin, ta zbulojnë fytyrën e krejt. Ato janë të intervistuara vetëm nga policia për momentin, te ne nuk janë intervistuar ende. Sa i përket identifikimit që me pa, kështu, s’ka ndonjë rregullore të veçantë, andaj e dini, si risi na është shfaqur tash”, deklaron Prokurori Special, Sylë Hoxha.

Pas kthimit të grave kosovare nga Siria dhe shfaqjes së pamjeve të tyre duke hyrë në objektin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Kosovë është hapur debat sa i takon mbulesës së njohur si burka dhe nikabi.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut përmes një deklarate ka propozuar që të bëhet ndalimi me ligj i përdorimit të burkas në vende publike, duke përfshirë edhe ndalimin e hyrjes në gjykatë në rast se personi mban veshje të tillë.

“Ndalimi i përdorimit të burkas në vende publike nuk bie në kundërshtim me të drejtat e njeriut, prandaj edhe duhet të sanksionohet me ligj. Burka po krijon paragjykime të opinionit ndaj atyre që e bartin sikur që bartësit e burkas po i identifikon me një dhunë potenciale. KMDLNJ-ja nuk ka asnjë dilemë për ndalimin e burkas në vende publike”, thuhet në deklaratë.

Në lidhje me mbulimin e tërësishëm të fytyrës ka reaguar profesori i shkencave islame, Xhabir Hamiti, i cili në një status në rrjetin social Facebook, ka thënë se njeriu është i lirë të vishet si të dojë, por mbulimi i tërësishëm i fytyrës sipas tij, nuk mund të përligjet me norma fetare.

“Mbulimi i plotë i fytyrës është një prodhim i grupeve dhe shoqërive të caktuara, si rezultat, kryesisht i injorancës, fanatizmit, konservatizimit dhe interpretimit ideologjik sektar”, shkruan profesori Hamiti.

Më 19 prill nga Siria në Kosovë janë kthyer në mënyrë të organizuar 110 persona duke përfshirë edhe 32 gra. Të gjitha gratë po hetohen me dyshimin se kanë qenë pjesëmarrëse në grupe terroriste gjatë luftës së Siri.

Shumicës prej grave u është shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për një muaj deri në ndonjë vendim tjetër nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme