Vendkalimet Jarinjë dhe Bërnjak në veri të Kosovës janë ende të mbyllura për këmbësorë si dhe për qarkullim të veturave dhe e vetmja mënyrë për të kaluar është përmes Merdares.
Ndërkohë, nga Jarinja në Zveçan ka disa barrikada, ndërsa më së shumti njerëz janë te barrikada afër Rudare, afër kryqit, ku është bllokuar plotësisht qarkullimi nga Zveçani në Prishtinë.
Sipas mediumit në fjalë, siç është paralajmëruar, shkollat në veri të Kosovës sot nuk do të jenë të hapura.
Ky medium vë në pah se barrikada ka edhe në rrugën Mitrovicë – Zubin Potok, në drejtim të pikës kufitare Bërnjak.
“Ajo që u përmend të dielën, se pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të largonin barrikadat, nuk ndodhi”, shkruan Al Jazeera Balkans, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë për zhvillimet e fundit në Kosovë kanë shkruar edhe media të tjera të rajonit dhe më gjerë.
Mediumi kroat Index.hr ka vendosur një titull ku shkruan: “Barrikada në Kosovë, situata është shumë e tensionuar. Shkollat e mbyllura”.
Siç shkruan ndër tjerash ky medium, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se është formuar Shtabi i Krizave, i cili do të raportojë rregullisht për gjendjen në terren. Shkollat fillore dhe të mesme në veri të Kosovës nga sot nuk do të funksionojnë.
Një vëmendje të veçantë zhvillimeve të fundit në Kosovë i ka kushtuar edhe mediumi boshnjak, klix.ba.
Sipas këtij mediumi, “Edhe këtë mëngjes në barrikada në veri të Kosovës,…”.
Ai ka vënë theksin në deklaratat e ambasadave amerikane dhe britanike në Prishtinë të cilat u kanë bërë thirrje serbëve që menjëherë të heqin barrikadat.
Por zhvillimet e fundit në Kosovë janë bërë edhe temë në mediat evropiane si Euronews.
Ky medium ka përmendur edhe deklaratat e zyrtarëve serbë të cilët kanë thënë se do t’i kërkojë forcës së udhëhequr nga NATO të lejojë dislokimin e 1,000 trupave serbe në veriun e populluar me serb të Kosovës, duke pretenduar se ata po “ngacmohen” atje.
Dhe siç vlerëson ky medium, është një kërkesë që me siguri do të refuzohet pasi do të binte ndesh me marrëveshjen e paqes prej dy dekadash.
Mediumi në fjalë kujton se tensionet kanë qenë “të larta” në Kosovë që kur Kosova shpalli pavarësinë, pavarësisht përpjekjeve të zyrtarëve të BE-së dhe SHBA-së për t’i zbutur ato, duke shtuar se Serbia refuzon të njohë shtetësinë e Kosovës.