Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti në një intervistë speciale për Telegrafin me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, ka folur për pasojat që mund të ketë në ekonominë dhe buxhetin e vendit, situata pas pandemisë COVID-19.
Guvernatori Mehmeti ka treguar edhe për masat që ka ndërmarrë ky institucion si dhe ku mund të jenë pasojat më të mëdha, duke thënë se do të ketë rënie ekonomike dhe mund të ketë rënie të remitencave.
Mehmeti ka sqaruar edhe vendimin e BQK-së së bashku më Shoqatën e Bankave të Kosovës sa i përket pagesës së kësteve mujore për biznese dhe individë.
Telegrafi: Z. Mehmeti, cilat masa i ka ndërmarrë BQK-ja pas paraqitjes së pandemisë COVID-19?
Mehmeti: Me qëllim të zbutjes së pasojave të kësaj krize për ekonominë tonë, ne si Bankë Qendrore e Republikës së Kosovës kemi qenë proaktiv duke ndërmarrë një gamë të masave të cilat kanë për qëllim sigurimin e funksionimit normal të sistemit financiar dhe zbutjes së ndikimit të krizës në ekonominë tonë. Gjithashtu kemi qenë në përcjellje të vazhdueshme të zhvillimeve në nivel të regjionit, BE-së dhe atij ndërkombëtar, si dhe kemi qenë në komunikim të rregullt me bashkëpunëtorët tanë ndërkombëtarë, siç janë FMN-ja, Banka Botërore, BERZH, dhe me odat ekonomike në Kosovë, dhe të gjithë i ndajmë shqetësimet e njëjta për situatën e krijuar, e në veçanti për pasojat që mund të kemi në rast të zgjatjes së kësaj situate. Dhe natyrisht, brenda mandatit kushtetues të BQK-së kemi koordinuar veprimet me të gjitha institucionet e Kosovës me qëllim të ballafaqimit sa më efektiv të situatës së krijuar.
Duke i kuptuar vështirësitë me të cilat po ballafaqohen një pjesë e bizneseve dhe punonjësve, BQK-ja së bashku me institucionet kredidhënëse, kanë vendosur për lejimin e një periudhë mospagimi për pagesat e kësteve të kredisë duke filluar nga data 16 mars 2020 deri më 30 prill 2020 dhe në varësi të zhvillimeve të situatës kjo periudhë mund të zgjatet. Kjo ka për qëllim lehtësimin e barrës financiare për të gjithë huamarrësit që po hasin në vështirësi të realizimit te të hyrave si pasojë e krizës pandemike. Gjatë kësaj periudhe, asnjë masë e përkeqësimit të vlerësimit të kredisë nuk do të zbatohet për huamarrësit. BQK-ja përmes masave të saj të regjistrit të kreditit ka ndërmarrë të gjitha masat e duhura ligjore për të parandaluar klasifikimin e kredive, të mos kërkojë provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi joperformuese në Regjistrin e Kredive. BQK ka siguruar edhe gjatë kësaj periudhe funksionim të rregullt të sistemit të pagesave në mbarë Kosovën, përfshirë këtu zonat e prekura, të cilat kanë qenë të izoluara për një periudhë të caktuar kohore. BQK-ja ka filluar dhe vazhdon me dezinfektimin e rregullt te të gjitha parave me të cilat e furnizon tregun, si masë mbrojtëse për shfrytëzuesit e parave të gatshme. BQK-ja ka themeluar Ekipin e Vazhdimësisë së Punës si dhe është themeluar Komitetin ndërinstitucional mes BQK-së, Thesarit dhe Shoqatës së Bankave për të siguruar funksionim normal të sistemit financiar në vend.
Telegrafi: A mund të ketë krizë ekonomike në Kosovë pasi të kalojë pandemia?
Mehmeti: Sipas parashikimeve të BQK-së, në vitin 2020 ekonomia e Kosovës do ta ndërpresë ekspansionin ekonomik që karakterizohej me një rritje mesatare vjetore prej 3.6 përqind në dhjetë vitet e fundit.
Telegrafi: Coronavirusi do të ndikojë në rënien ekonomike në vend, sa mund të jetë kjo?
Mehmeti: Nën supozimin se tronditjet ekonomike në ekonominë e Kosovës do të ndjehen më tepër në tremujorin e parë dhe të dytë dhe pjesërisht edhe në tremujorin e tretë të vitit, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020. Sidoqoftë, këto parashikime janë shumë të hershme andaj edhe duhet të merren me shumë rezervë. Ne do të përcjellim me shumë vëmendje zhvillimet në ekonominë tonë dhe në atë globale dhe përkitazi me këto zhvillime do të rishikojmë edhe parashikimet tona makroekonomike.
Telegrafi: Institucionet e vendit kanë ndaluar shumë aktivitete të punës gjatë pandemisë dhe janë miratuar pako emergjente, si i vlerësoni?
Mehmeti: Pakoja e miratuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë pritet të ofrojë një injeksion të nevojshëm të fondeve drejt ekonomisë. Sidoqoftë, kushtet nëpër të cilat po kalon ekonomia e vendit nuk do të lënë pa sfiduar edhe financat publike.
Telegrafi: Cilët janë sektorët që mund të preken më së shumti nga pasojat e pandemisë COVID-19?
Mehmeti: Pandemia COVID -19 ka ndikuar në ndërprerjen e aktivitetit në shumë sektorë të ekonomisë, duke lënë bizneset pa të hyra, përderisa detyrimet e këtyre bizneseve vazhdojnë të jenë aktive, gjë që rrezikon aftësinë e tyre paguese dhe mund t’i shtyjë ato edhe drejt dështimit. Në të njëjtën kohë, punonjësit e këtyre bizneseve rrezikojnë që pjesërisht apo edhe plotësisht të mbeten pa të ardhura, duke ndikuar kështu negativisht në fuqinë blerëse të konsumatorëve. Në këto kushte, kur kërkesa për kredi bie dhe po ashtu edhe pasiguria për të ardhmen rritet, pritet të ketë edhe rënie të kreditimit nga institucionet financiare, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve.
Një kanal tjetër i rëndësishëm i goditjes së ekonomisë së Kosovës nga kriza pandemike mund të jetë edhe sektori i jashtëm. Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, duke pranuar një shumë prej mbi 10% të BPV-së në baza vjetore. Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara pa dyshim se pritet të ndikojë edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë. Përkundër rrjedhës së qëndrueshme që kanë pasur remitencat drejt Kosovës, ato kishin shënuar rënie në kohën e krizës së fundit globale ekonomike, gjegjësisht në vitet 2009, 2010, 2011, prandaj mbetet të shihet se si do të manifestohen efektet e krizës pandemike në ekonomitë, ku është e koncentruar diaspora jonë për të pasur një vlerësim më konkret për sjelljen e remitancave gjatë këtij viti.
Një nga sektorët që pritet të goditet nga Pandemia COVID 19 është edhe eksporti, duke ndikuar kështu në rritjen e mëtejme të efekteve të krizës në ekonominë e Kosovës, ndërsa pamundësia për të realizuar aktivitetin ekonomik në kushte normale, si dhe pasiguria për zhvillimet në të ardhmen, pritet të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rënien e investimeve të huaja direkte. Ndërkaq, kategoria e cila pritet të ruajë më tepër qëndrueshmërinë gjatë kësaj periudhe janë shpenzimet publike, rrjedha e të cilave në ekonomi pritet të zbusë deri në një masë efektet negative nga kanalet e lartpërmendura
Telegrafi: Ka pasur paqartësi për disa vendime sa i përket pagesave të kësteve mujore ndaj bankave- çka është pezulluar, kush mund të përfitojë pezullim të këstit, e çka janë lehtësimet dhe a do të zbatohen pagesa shtesë për individë e kompani?
Mehmeti: Banka Qendrore e Republikës së Kosovës së bashku me Shoqatën e Bankave të Kosovës, kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët, të cilët për shkak të COVID- 19 dhe gjendjes së krijuar në vend, si dhe rënies së nivelit te të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë. Me rastin e pezullimit të pagesave të kredisë, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Pra, sipas vendimit të përbashkët, bankat në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të aplikojnë interes ndëshkues të lidhura me këto kredi. Gjithashtu, norma e interesit për këto kredi nuk do të rritet. Secila bankë individualisht do të trajtoj kërkesat për pezullim të pagesës së kësteve të kredisë rast pas rasti, pasi që bankat kanë informata lidhur me klientët e tyre, lidhur me rënien e nivelit te të hyrave dhe ndikimit të pandemisë në nivelin e të hyrave të biznesit dhe individëve. Kredi marrësit të cilët vazhdojnë të kenë të hyra të rregullta, sikurse para situatës së krijuar, duhet të vazhdojnë të paguajnë këstet e kredisë sikurse më parë. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, ka inkurajuar dhe inkurajon kredimarrësit që kjo e drejtë të shfrytëzohet në mënyrë sa më racionale, meqë funksionimi efikas i sistemit financiar është jetik dhe esencial në rrethanat të cilat po kalon vendi dhe bota.
Telegrafi: A do të ndikojë kjo pandemi në rritjen ekonomike dhe dërgesat nga diaspora?
Mehmeti: Sikurse e ceka edhe më herët, parashikimet tona preliminare sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin -2% deri -4% për vitin 2020. Po e përsëris edhe një herë, Kosova ka një varësi mjaft të lartë nga remitencat, me pjesëmarrje prej mbi 10% të BPV-së në baza vjetore. Rënia e aktivitetit ekonomik në vendet e zhvilluara pa dyshim se pritet të ndikojë edhe në zvogëlimin e këtij burimi shumë të rëndësishëm për financimin e konsumit në vendin tonë. Përkundër rrjedhës së qëndrueshme që kanë pasur remitencat drejt Kosovës, ato kishin shënuar rënie në kohën e krizës së fundit globale ekonomike, gjegjësisht në vitet 2009, 2010, 2011, prandaj mbetet të shihet se si do të manifestohen efektet e krizës pandemike në ekonomitë, ku është e koncentruar diaspora jonë për të pasur një vlerësim më konkret për sjelljen e remitancave gjatë këtij viti.