Pas shpërthimit të mbrëmshëm në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me mortajë dore, sot situata është e qetë. Qytetarët lëvizin lirshëm, madje as policë nuk shihen afër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.
Një pajisje shpërthyese është hedhur drejt ndërtesës së Kuvendit të Kosovës mbrëmë rreth orës 23:00, nga persona të panjohur. Ende nuk dihet arsyeja e këtij shpërthimi.
Dëme materiale kanë pësuar edhe zyrat brenda Kuvendit të Kosovës. Policia e Kosovës është duke hetuar rastin.
Policia e Kosovës ka thënë se në vendin e ngjarjes ka gjetur dëshmi relevante, në mesin e të cilave edhe një mjet për hedhjen e predhave, shishe të benzinës (koktej molotovi) dhe një motoçikletë të djegur jo larg nga vendi i ngjarjes.
Policia beson se dëshmitë nga vendi i ngjarjes do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit mbi objektin e Kuvendit të Kosovës.