Mbi 31 mijë studentë më pak ka Kosova këtë vit krahasuar me një vit më parë. Kjo e dhënë është evidentuar përmes raportit “Statistikat e arsimit 2019/2020”, i publikuar ditë më parë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Raporti është hartuar nga ASK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH).
Ky publikim ofron informata statistikore për nivelin parashkollor, arsimin fillor dhe të mesëm të ulët, arsimin e mesëm të lartë, arsimin special, si dhe arsimin universitar. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2018/2019, në nivelin universitar kanë qenë 104.606 studentë derisa në vitin 2019/2020 janë 73.604, shkruan KOHA.
Rënie të numrit të nxënësve ka edhe në shkollat e mesme. Derisa në vitin 2018/2019 kanë qenë 85.789 nxënës, në vitin 2019/2020 janë 79.264 apo 6.525 më pak. E në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët numri i nxënësve në vitin 2018/2019 ka qenë 243.177, kurse në vitin 2019/2020 është 237.959 apo 5.218 më pak.
Ndërsa në arsimin special, ku mësojnë fëmijët me nevoja të veçanta, në vitin 2018/2019 numri i përgjithshëm i nxënësve ka qenë 365, kurse këtë vit është 349 apo 16 më pak.