Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot edhe zyrtarisht ka emëruar Valon Prebrezën si udhëheqës të Njësisë për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike (NJPMNP) në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë.
Në vendimin e Ministres Rizvanolli të datës 22.05.2023, thuhet se “Prebreza kompetencat dhe përgjegjësitë e tij i ushtron në pajtim me dispozitat e Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe se këtë pozitë do të mbajë deri në një vendim tjetër”.
“Njësia për Politikat dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike ka për mision monitorimin dhe raportimin e performancës së ndërmarrjeve publike qendrore me qëllim të qeverisjes së mirë koorporative të Ndërmarrjeve Publike”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Siç raporton, Buletini Ekonomik, Prebreza është parë i afërt me Vetëvendosjen qysh para ardhjes në pushtet të kësaj partie në vitin 2021. Sipas fotografive të publikuara në profilin e tij, afërsi shihet të ketë me figura të larta të Vetëvendosjes, si deputeten Fitore Pacolli dhe zëvendësministrin Avni Zogiani. Në shoqërinë e tyre Prebreza shihet edhe në ndeja private e në ditëlindje.
Për punësimin e Prebezës ka shkruar drejtori Ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj. Ai ka deklaruar me anë të një postimi në Facebook se përveç punësim politik, Prebreza nuk ka as CV publike.
“… në mundësinë e parë për të emëruar ndonjë profesionist/e në pozitën më kyçe në raport me ndërmarrjet publike, atë të udhëheqësit/es së Njësisë për ndërmarrje publike (NjPMNP-së) qeveria e VV-së dhe ministrja Rizvanolli zgjedhin ta emërojnë aty një aktivist/anëtar të VV-së. Një person që nuk ka as CV publike, e lëre më të njihet në publik si ekspert i kësaj fushe!”.