Zgjedhjet e 17 dhjetorit të Serbisë nuk do të mbahen në territorin e Kosovës. Kjo për shkak se Beogradi nuk e ka pranuar kushtin e kryeministrit Kurti për marrëveshje paraprake ndërshtetërore. Nga misioni i OSBE’së në Kosovë thonë se nuk ekzistojnë kushtet që një gjë e tillë të ndodhë.
Më 17 dhjetor në Serbi do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale, të cilat nuk do të organizohen në territorin e Kosovës. Kjo pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vuri një kusht, të cilin e refuzoi Serbia.
Kurti ka kërkuar që paraprakisht të ketë një marrëveshje ndërshtetërore me kërkesë të Serbisë.
“Kryeministri Kurti theksoi se siç ka njoftuar shefin e OSBE-së në përgjigjen e 17 nëntorit, për këtë është e nevojshme një marrëveshje ndër-shtetërore dhe se kërkesa për një marrëveshje të tillë duhet të vijë nga Serbia si palë e interesuar”, thuhet në komunikatë e ZKM’së pas takimit të Kurtit me Davenport.
Këtë kusht, OSBE e ka përcjellë në Qeverinë e Serbisë, por këta të fundit nuk e kanë pranuar.
Drejtori i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën në Qeverinë Serbe”, Petar Petkoviq, tha se serbët që jetojnë në Kosovë nuk do të mund të marrin pjesë në zgjedhje për shkak të “kushteve të papranueshme” të Kurtit dhe e ka njoftuar komision zgjedhor në Serbi për këtë. Aty Kosovës I adresohet si Kosovë e Metohi dhe krahinë.
“Bazuar në kërkesën tuaj për të përcaktuar mundësinë e votimit për deputetë në Zgjedhjet Nacionale të Republikës së Serbisë të 17 dhjetorit 2023, që të mbahen në territorin e krahinës autonome të Kosovës dhe Metohisë, ne ju informojmë juve që aktualisht nuk është e mundshme të zbatohet procedura zgjedhore në Kosovë, në mënyrën siç do të ishte e pajtueshme me rregullimet ligjore, si dhe me shtetin dhe interesat kombëtare të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Petkoviq, siç e ka cituar KoSSeV.
Nga misioni i OSBE’së i kanë thënë Gazetës Express se kanë nevojë për konsensus të të gjitha palëve për këtë çështje.
OSBE thotë se për momentin nuk ekzistojnë kushte për organizimin e një procesi të tillë zgjedhor, duke përmendur edhe nevojën për ofrimin e sigurisë nga Policia e Kosovës.
“Siç e kemi thënë publikisht dhe siç është diskutuar në takime me Kryeministrin, Misioni i OSBE ka nevojë për konsensus të të gjitha palëve për këtë çështje. Misioni gjithashtu ka nevojë për mbështetje nga institucionet e Kosovës dhe kryesore ka nevojë për siguri nga Policia e Kosovës, si ofrues i parë i sigurisë. Për momentin, këto kushte nuk ekzistojnë”, thuhet në përgjigjen e OSBE’së.
Më 16 janar 2022, Serbia kishte mbajtur një referendum për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në fushën e drejtësisë. Serbia kishte kërkuar që ky referendum të organizohet edhe në Kosovë, mirëpo pavarësisht thirrjeve të QUINT’një gjë e tillë u refuzua nga Qeveria e Kosovës.
Serbëve u ishte mundësuar të votojnë vetëm nëpërmjet postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës një ditë para se të mbahej referendumi kishin miratuar një rezolutë, përmes së cilës kundërshtonin mbajtjen e referendumit.
Sipas rezolutës, mbajtja e referendumit të Serbisë në Republikën e Kosovës, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.
Qytetarët serbë në Kosovë kishin protestuar për moslejimin e mbajtjes së referendumit, ndërsa Bashkimi Evropian kishte shprehur keqardhje që nuk është gjetur marrëveshje me Qeverinë e Kosovës.
“BE-ja shpreh keqardhje për pamundësinë e gjetjes së një marrëveshjeje me Qeverinë e Kosovës për të lejuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) që të mbledhë fletëvotimet në Kosovë, në përputhje me praktikën nga e kaluara”, kishin deklaruar nga BE-ja. /GazetaExpress/