Federata Shqiptare e Futbollit e konfirmoi sot vendimin paraprak që të mos ndajë më bileta për tifozeritë e organizuara.
Shtëpia e futbollit shqiptar e lëshoi sot një reagim, përmes së cilit sqaroi se tash e tutje do t’ua japë rastin krejt tifozëve që të pajisen individualisht me bileta përmes sistemit të ri, në mënyrë që të krijohet një lloj barazie për të gjithë ata që duan ta mbështesin Kombëtaren Kuqezi.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF. Por, kjo nuk do të ndodhë tash e tutje.
Tifozat Kuq e Zi e kanë akuzuar paraprakisht FSHF-në se kjo e fundit nuk po iu jep më bileta duke e parë këtë si një hakmarrje për kundërshtimin e tyre për organizimin e përbashkët me Serbinë të Evropianit 2027 për moshat U-21.
Më poshtë mund ta lexoni reagimin e FSHF-së ndaj Tifozave Kuq e Zi dhe krejt tifozerive të pakënaqura, përmes faqes së vetë zyrtare:
“Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) dëshiron të sqarojë publikun mbi sistemin e ri të shitjes së biletave për ndeshjet e Kombëtares, një vendim që synon të sigurojë barazi dhe gjithë përfshirje për të gjithë tifozët shqiptarë.
Në përputhje me praktikat më të mira evropiane, FSHF ka vendosur që të gjitha biletat të shiten online dhe çdo person të ketë mundësinë të blejë maksimumi 4 bileta.
Ky sistem është vendosur për të garantuar një proces të hapur dhe të drejtë, ku çdo tifoz ka mundësi të barabartë për të qenë pjesë e mbështetjes së Kombëtares.
Për shumë vite, grupe të ndryshme tifozerike kanë pasur mundësinë të sigurojnë bileta të rezervuara nga FSHF.
Megjithatë, me rritjen e kërkesës për bileta dhe dëshirën për të krijuar një qasje më të hapur për të gjithë tifozët shqiptarë, është vendosur që nga tani e tutje biletat të jenë të aksesueshme përmes një procesi të drejtë dhe transparent.
FSHF vlerëson dhe respekton të gjithë ata që kanë mbështetur Kombëtaren ndër vite dhe beson se tifozeria shqiptare, në të gjithë larminë e saj, do të vazhdojë të krijojë atmosferën e zjarrtë që gjithmonë ka dalluar ndeshjet e Kombëtares sonë.
Ky vendim nuk synon përjashtimin e askujt, por përkundrazi, garantimin e mundësisë për të gjithë tifozët që duan të jenë pjesë e spektaklit të Kombëtares.
FSHF mbetet e hapur për çdo sugjerim apo diskutim që ndihmon në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në forcimin e lidhjes mes ekipit Kombëtar dhe mbështetësve të tij të zjarrtë.”