Delegacioni shqiptar mbërrin në Bruksel, nesër fillojnë negociatat me BE-në

Prishtinë | 18 Kor 2022 | 12:32 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Rama bashkë më delegacionin shqiptar mbërrin sot në Bruksel për të nisur bisedimet për antarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Nesër do të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare BE-Shqipëri. Kjo konferencë do të zhvillohet paraditen e 19 korrikut, dhe është parashikuar që takimi të zgjasë 90 minuta dhe më pas do të ketë edhe një konferencë për shtyp.

Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa delegacioni i BE-së do të kryesohet nga ministri i Jashtëm çek, si vendi që ka Presidencën e radhës së BE-së, ndërkohë që do të marrin pjesë edhe përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme, Borrel dhe Komisioneri për zgjerimin, Varhelyi.

Kujtojmë që Kuvendi maqedonas ka miratuar dy ditë më parë propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë, duke i hapur kështu rrugën procesit të integrimit evropian për RMV dhe Shqipërinë.

Pas miratimit në Kuvendin maqedonas të propozimit francez kryeministri Rama theksoi se negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian s’kanë më asnjë pengesë! Ai bëri me dije se delegacioni shqiptar do të niset të hënën në Bruksel për ta filluar këtë pjesë të re rruge, duke filluar negociatat e anëtarësimit.

“Do t’ia dalim në krye edhe kësaj pjese të re përpjekjesh, duke u lidhur më ngushtë me shqiptarët dhe duke e synuar me forca të reja majën ku do ta ngjisim me se s’bën Shqipërinë”, u shpreh Edi Rama.

Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në qershorin e vitit 2014, në marsin e vitit 2020 Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe të martën procesi i negociatave nis zyrtarisht me mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Të ngjashme