Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere shqyrtoi Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, shkruan EkonomiaOnline.
Ata refuzuan kërkesën e KOSTT-it për 33 milionë euro për rrymën në veri.
Në komision u propozua që kërkesat për paga të specializantëve me vetëfinancim dhe atyre të rregullt të refuzohen. Gjashtë anëtarë votuan për, një ishte kundër dhe dy abstenuan.
“Mundësitë buxhetore nuk ekzistojnë dhe nuk e pranojnë një numër kaq të madh të 600 specializantëve”, tha Eman Rrahmani, anëtar nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Anëtarët e komisionit refuzuan po ashtu kërkesën për blerjen e veturave të Autoritetit Rregullativ të Ujit.
Edhe 31 kërkesat e komunavve u refuzuan nga anëtarët e komisionit, për mjete shtesë buxhetore.
Komisioni miratoi kërkesën e Universitetit të Mitrovicës, me shumicë të votave.
Komisioni ka refuzuar dy kërkesa të ARKEP-it për rritjen e buxhetit për paga dhe mëditje.
Kryetari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja, paralajmëroi për një mbledhje maratonë të mërkurën.
“Bëhuni gati se nesër mbledhja mundet me zgjatë deri në orët e vona”, deklaroi Muja.
Mbledhja do të fillojë në orën 10:00.
Me shumicë votash është refuzuar edhe kërkesa e Institucionit të Avokatit të Popullit për krijimin e tetë pozitave të reja për punë, rritjen e fondit për paga dhe mëditje.
“Në këtë mënyrë siç po refuzohen kërkesat, Kuvendi dhe Komisioni për Buxhet di të vije në situatën për leximin e tretë të këtij buxheti”, deklaroi Hoti.
Është refuzuar edhe kërkesa e Këshillit Gjyqësor për rritjen e buxhetit për këtë institucion.
Nuk është përkrahur edhe kërkesa e AKI-së për punonjës shtesë dhe për paga.