Sistemi shëndetësor në Kosovë vazhdon të ballafaqohet me probleme të mëdha. Një nga problemet shqetësuese është edhe ai i ikjes së stafit për në vendet e Bashkimit Evropian.
Haxhi Avdyli, neurokirurg dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, i tha Radios Evropa e Lirë se ikja e mjekëve dhe infermierëve nga Kosova vazhdon të mbetet shqetësim, derisa, siç u shpreh ai, nuk ka një strategji për mbajtjen e tyre në vend.
“Kosova në këto vite nuk ka pasur strategji për resurse humane. Këtu ka mjekë të papunë dhe specializimet nuk janë të koordinuara mirë. Një numër i madh është i punësuar në QKUK, e një numër i madh i mjekëve mungon në spitale rajonale. E gjithë kjo falë planifikimit jo të mirë. Si pasojë e kësaj, kemi mungesë të mjekëve dhe infermierëve dhe shumë nga ta për shkak të kushteve, po ikin jashtë Kosovës’’, tha Avdyli.
Sipas tij, sidomos Gjermania është vendi që po kërkon punëtorë shëndetësorë nga Kosova dhe të njëjtit po ikin për shkak të kushteve dhe pagës më të mirë atje.
Megjithëkëtë, theksoi ai, Qeveria, në kornizën afatmesme të shpenzimeve nuk e ka paraparë rritjen e numrit të punëtorëve shëndetësorë deri në vitin 2020, derisa Kosova vazhdon të ketë mjekë specialistë të papunë.
“Kjo gjendje nuk jep shpresë kur dihet kjo strategji e Qeverisë së Kosovës. Qeveria aktuale nuk e ka prioritet shëndetësinë, spitalet tona po lëngojnë nga mungesat elementare për trajtim dhe të njëjtit po ikin për shërim jashtë vendit. Prioritet do të ishte atëherë kur rritet buxheti për kokë banori’’, shtoi Avdyli.
Edhe Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, pati thënë se mosha mesatare e mjekëve në Kosovë ka arritur mbi 50 vjeç, e që sipas profesionistëve shëndetësorë, është mjaft shqetësuese për faktin se shumë mjekë të rinj janë duke ikur nga Kosova.
Sipas tij, në Kosovë ka deficit të profesionistëve shëndetësorë sipas standardeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
“Në asnjë njësi funksionale që është brenda shërbimit shëndetësor, nuk ka mjekë, e as infermier sa duhet për kokë banori, sipas numrit të popullatës. Në të gjitha njësitë që shërbejnë në shëndetësi, ka deficite, jashtë QKUK-së dhe ka aso pozita që të mbyllen klinika të caktuara për shkak se kolegët kanë shkuar në pension dhe nuk ka staf të ri”, kishte deklaruar Selmani.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk deshën të prononcohen lidhur me atë se a kanë ndonjë strategji për ndaljen e ikjes së mjekëve nga vendi, ose se si Qeveria e Kosovës e ka paraparë kornizën afatmesme të shpenzimeve ku thuhet se nuk është paraparë rritja e numrit të punëtorëve shëndetësorë deri në vitin 2020, derisa Kosova vazhdon të ketë mjekë specialistë të papunë.
Blerim Syla nga Federata Sindikale e Shëndetësisë tha se fenomeni i ikjes së mjekëve po bëhet shqetësues. Ndërkohë, ai potencon faktin se në sistemin shëndetësor kohëve të fundit po bëhen disa lëvizje pozitive.
“Ne, që nga viti 2013 jemi duke u marrë me këtë fenomen. Tashmë edhe zyrtarisht po kërkohen në Gjermani mjekë e infermierë. Dhe, kam frikë se kjo do të kthehet në fenomen. Së fundmi, vetëm nga Juniku 7 mjekë e kanë ndërprerë kontratën e punës për të ikur jashtë vendit, pastaj në Deçan 12 mjekë, dhe kjo mendoj se është një tragjedi”.
“Në anën tjetër, mund të them se në sistemin shëndetësor ka pasur disa lëvizje pozitive, si në Klinikën e Kardiokirurgjisë, ku po punohet 24 orë, pastaj në Onkologji janë bërë disa investime, furnizimi me barna ka filluar të përmirësohet’’, tha Syla për Radion Evropa e Lirë.
Numri i mjekëve specialistë që kanë ikur nga Kosova që nga hulumtimi i fundit i bërë në Kosovë, ka qenë mbi 400.