Në mungesë të vendimmarrjes, ka dështuar të miratohet Rezoluta nga interpelanca me kryeministrit, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Saranda Bogujevci, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, për çështjen “Trajtimi i dëmshëm i temës së të pagjeturve në zotimet e 4 shtatorit, duke e kushtëzuar me personat e zhvendosur”.
Kjo pikë mori 41 vota, që nuk mjaftuan për ta kaluar atë.
Përpos deputetëve të Vetëvendosjes, pro kësaj rezolute ishin edhe ata të PDK-së, derisa LDK-ja e bojkotoi pjesëmarrjen në votim.
Deputetja e VV-së, Saranda Bogujevci, parashtroi 2 pikat që përfshihen në këtë rezolutë, si dhe kërkoi votën e deputetëve për këtë pikë. “Këto janë pikat e dy rezolutës: Kuvendi i Kosovës thekson se çështja e personave të pagjetur nuk mund të ndërlidhet, kushtëzohet apo të ndërvaret nga asnjë çështje tjetër. Qeveria e Kosovës duhet të ndërmjetësoj në adresimin e çështjes së të pagjeturve në harmoni me standardet dhe mekanizmat ndërkombëtar. Pika 2: Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës të mos pranoj të bisedoj me cilindo zyrtar nga Serbia pa ofrimin e menjëhershëm të informacioneve për vendndodhjen e gjithë personave të cilët nuk janë gjetur gjatë luftës së fundit. Kërkoj përkrahjen e gjithë deputetëve për këtë rezolutë”, pati thënë ajo.
Deri më tash një varg projektligjesh kanë dështuar të votohen në mungesë të vendimmarrjes. (Koha)