Skandali me tenderat, tre ish-ministrat e Drejtësisë në Prokurori

Tiranë | 08 Shk 2019 | 08:55 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria e Tiranës pritet që të thërrasë për të dëshmuar 3 ish-ministra të Drejtësisë. Konkretisht, do të thirren për të dëshmuar ish-ministri Ylli Manjani, Petrit Vasili dhe Gazmend Bardhi.

Mësohet se ata do të pyeten javën e ardhshme në lidhje me rolin e tyre në procedurat e prokurimit.

Burime konfirmojnë se sa i takon dy ish-ministrave Ylli Manjani dhe Petrit Vasili, nuk janë në hetim, por në proces verifikimi për këtë do të merren edhe dëshmitë e tyre. Duke qenë se kontratat vijojnë të jenë në zbatim edhe aktualisht, organi i akuzës do të kryejë një verifikim edhe për ministren aktuale të Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ndaj zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë kishte nisur prej muajsh një hetim, i cili u finalizua ditën e martë me caktimin e masave të sigurisë për 12 ish-zyrtarët. Ndërsa disa prej tyre ishin thirrur pak kohë më parë për t’u marrë në pyetje.

Mësohet se njëri nga të arrestuarit, drejtori i Shërbimeve Ekonomike dhe Mbështetëse në këtë ministri, Aurel Lamçe, që njëkohësisht ishte i komanduar edhe si sekretar i përgjithshëm, është shoqëruar mbrëmjen e së martës nga oficerët e Antikrimit Ekonomik, shkruan gazeta Panorama.

Ai ndodhej në një lokal në afërsi të Tregut Elektrik, kur u ndalua në zbatim të urdhrit të Prokurorisë.

Nën masë sigurimi “Arrest shtëpie” është dhe ish-sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juliana Hoxha. Ndërkohë, në burg janë edhe dy ekspertë të IT, Lysien Ali dhe Arlind Alika.

Prokuroria ka zbuluar abuzime të rënda me tenderat në vitet 2016-2017 dhe i ka akuzuar për ‘shpërdorim detyre”.

Nga detyra është shkarkuar edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm i Burgjeve, Stefan Çipa, vetëm pesë muaj i emëruar në detyrë. shkarkimi është bërë nga ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Hetimet e Prokurorisë që çuan në arrestime janë përqëndruar edhe në disa tendera të zhvilluara për burgjet.

Tenderat e hetuar janë: Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative; përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale; përmirësimi, zhvillimi dhe mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar; Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës dhe përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme