Lëvizja “Vetëvendosje”, si subjekti i dytë me më së shumti vota pas koalicionit PAN (PDK-AAK-Nisma), mund ta formojë Qeverinë e re vetëm nëse shpejton që të lidhë koalicion paszgjedhor, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Me këtë rast, kandidati për kryeministër nga ky subjekt Albin Kurti mund të vijë në krye të ekzekutivit dhe ta marrë epitetin e kryeministrit. Kështu konsiderojnë njohësit e çështjeve politike në Kosovë, të cilët megjithatë thonë se një gjë të tillë mund ta lehtësojë ose ta ndërlikojë presidenti i Kosovës, i cili në rast se subjekti i parë (koalicioni PAN) nuk mundet ta formojë Qeverinë, mandatin t’ia kalojë apo jo “Vetëvendosjes”.
Nga ana tjetër përfaqësues të “Vetëvendosjes” konsiderojnë se pas dyfishimit të votave nga lëvizja “Vetëvendosje” është pikërisht ky subjekt i cili duhet ta formojë Qeverinë në krye me kandidatin Albin Kurti, shkruan tutje “Zëri”.
Ata me këtë rast thonë se LVV-ja nuk do t’i ndërrojë qëndrimet edhe atëherë kur do të vijë në pushtet.
Ndërkohë, edhe analistët politikë vlerësojnë se deri më sot nuk ka pasur ndryshime drastike në diskursin e Kurtit.