Në seancën e së mërkurës në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, dëshmitari Skënder Isufi deklaroi se tenderi për mbikëqyrjen e dilatimeve në Termocentralin B1 dhe B2 ishte zhvilluar me procedurë të negociuar dhe ishte rekomanduar për kontraktim, ndërsa për tenderin e pllakave rrëshqitëse të kanalit të mullinjve tha se, pas raportit të komisionit, ishte mbajtur takim lidhur me kërkesat e operatorit ekonomik ku kishte marrë pjesë edhe kryeshefi, raporton Ekonomia Online.
Ai tha se në atë takim, përveç drejtorit të prokurimit, kishte qenë i pranishëm edhe kryeshefi dhe sekretarja, ku ishin diskutuar kërkesat për ndryshim të kushteve të kontratës, përfshirë çështjen e vlerës, afatit dhe garancionit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores së rastit, Fikrie Zejnullahu, Isufi, i cili ka dëshmuar në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të Kosovës A, tha se kishte qenë kryetar i komisionit për këtë aktivitet prokurimi.
“Mbikëqyrja ka qenë tender me negocim, unë kam qenë kryetar i komisionit edhe një kolege, Ramadana Ahmeti, ka qenë anëtare dhe kolegia nga prokurimi ka qenë Mirvete Gërguri. Ky aktivitet ka qenë në muajin janar-shkurt diku të vitit 2023. Zakonisht shqyrtohet dokumentacioni dhe pastaj kërkohet nëse ka diçka ose vazhdohet me negocim me operatorin. Oferta ka qenë e operatorit TU Hellas nga Greqia. Ofertë ka qenë vetëm një, si komision e kemi vlerësuar vetëm si ofertë”, tha ai.
I pyetur se si ishte vepruar me këtë tender, dëshmitari deklaroi se pas përfundimit të negociatave komisioni kishte hartuar raportin përfundimtar.
“Komisioni ka dhënë raportin e vet pas përfundimit të negociatave, ka rekomandu se mund të vazhdohet me kontraktim”, tha ai.
Në pyetjen se kush kishte marrë pjesë në negociim, ai u përgjigj: “Kemi qenë ne dhe kohë pas kohe e kemi njoftuar edhe drejtorin e zyrës së prokurimit”.
I pyetur nëse ishte lidhur kontrata me këtë kompani, dëshmitari tha: “Mbikëqyrja e dilatimeve është kontraktu”.
Prokurorja e pyeti nëse kishte njohuri pse ishte zgjedhur pikërisht kjo kompani për kryerjen e shërbimeve, ndërsa ai u përgjigj se komisionit i ishte dhënë për vlerësim oferta e paraqitur.
“Komisionit në hapjen e tenderit neve si komision na kanë dhënë këtë ofertë me vlerësu”, tha ai.
Sa i përket dokumentacionit teknik, ai deklaroi se ishte diskutuar për certifikimin ISO.
“Është diskutuar për ISO 9001 edhe në pjesën e pyetjeve-përgjigje ka qenë kjo temë e diskutume. Operatori e ka pasur ISO 1702. Ne kemi pyetur pse se ke dorëzuar atë certifikat po e ke dorëzuar atë certifikat”, tha ai.
Lidhur me diplomat e ekspertëve, dëshmitari tha se fillimisht ishin shqyrtuar CV-të e ekipit të mbikëqyrjes.
“CV e ekspertëve të cilët kanë qenë pjesë e ekipit të mbikëqyrjes i kemi shqyrtu, sa i përket diplomave nuk i kemi lypur në atë kohë. Më pas i kemi kërkuar që mi dorëzu diplomat të cilat edhe na i kanë dorëzuar”, tha ai.
Duke u përgjigjur për një aktivitet tjetër prokurimi që kishte të bënte me pllakat rrëshqitëse të kanalit të mullinjve, Isufi tha se ai tender kishte qenë i hapur dhe kishte nisur në dhjetor 2022.
“Dy operatorë kanë dorëzu ofertat, njëri ka qenë Erfoterm nga Greqia dhe SBB nga Polonia. Oferta e SBB ka qenë me çmim më të lartë se sa buxheti i paraparë në dosje. Ka pasur edhe disa kërkesa që nuk i kanë dorëzuar, mendoj që plani dinamik. Për këtë ky operator është kualifikuar si jo i përgjegjshëm. Operatori tjetër i ka plotësuar kriteret dhe në raportin e komisionit është rekomandu si ofertë e përgjegjshme dhe mund të vazhdohet tutje”, tha ai.
I pyetur nëse si anëtar i komisionit kishte pasur biseda të tjera me persona zyrtarë në KEK, ai tha se kishte komunikuar me Zyrën e Prokurimit.
“Me zyrën e prokurimit po, por me persona të tjerë nuk më kujtohet. Pasi e kemi dorëzuar raportin na kanë ftuar nga muaji mars për të shqyrtuar disa kërkesa të operatorit ekonomik. Operatori ka kërkuar që të ndryshohet vlera, ka kërkuar avancë, ka qenë edhe çështja e afatit se kur me fillu punimet”, tha ai.
Sipas tij, gjatë një takimi ku kishte qenë i pranishëm drejtori i prokurimit, kryeshefi dhe sekretarja, ishte diskutuar për kërkesat e operatorit.
Në pyetjen nëse ishin pranuar kërkesat për ndryshim të kushteve, dëshmitari deklaroi:
“Për me pranu atë KEK ka kërkuar që të zbutet ajo përmes nenit që ka të bëjë me paranë e mbajtur. Në çdo faturë të paraqitur ndalet sasi e pareve. Ka qenë një përqindje që është përdorur… ajo ka qenë në vlerën 15%”, tha ai.
Lidhur me komunikimin përmes e-mail-it me kryeshefin ekzekutiv për ndryshimin e kushteve, dëshmitari tha:
“M’duket m’ka kthy një e-mail që operatori ekonomik herën e parë që e ka dërgu këtë kërkesë për ndryshimin unë i kom thanë se në qoftë se mbetet aty garancioni ma i mirë mos me u ndryshu garancioni i performancës. Domethanë këtë e mbaj mend. Mos me u ndryshu garancioni”, tha ai.
Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Ai më herët e ka cilësuar aktakuzën si të montuar dhe ka theksuar se qëndrimi i tij pesëmujor në paraburgim është i padrejtë.
Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024, Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.
Nagip Krasniqi dhe Ymer Dragusha akuzohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”, ndërsa Krasniqi akuzohet edhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Isuf Zejna akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”.
Në seancën fillestare më 7 shkurt 2025, Krasniqi dhe Zejna janë deklaruar të pafajshëm, ndërsa Ymer Dragusha ka pranuar fajësinë pas marrëveshjes me Prokurorinë.
