Nëse do të kishte një dilemë për sfida luksi apo short favorizues për të tentuar kualifikimin në fazën “play off” të Europa League, nuk ka dyshim që Skënderbeu dhe Shkëndija do të zgjidhin të ecnin sa më larg në ndeshjet ndërkombëtare.
Goglat në Nyon nuk i zhgënjyen dy skuadrat e vetme shqiptare të mbetura në garë, duke i vendosur përballë kundërshtarëve të kalueshëm. Nëse kalon kazakët e Kairat Almaty dhe kualifikohet në turnin e tretë eliminator, Skënderbeu do të luajë përballë fitueses së çiftit Shamrock Rovers nga Irlanda dhe Mladá Boleslav nga Republika Çeke.
Të pozicionuar në Grupin dy, korçarët evituan rivalë si PAOK-u i Ergys Kaçes, Austria e Vjenës, Dinamo e Zagrebit, Athletic Bilbao apo fituesin e çiftit Ferencvaros-Midtjylland. Me përballjen e radhës që do të jetë ndaj fituesit Shamrock Rovers-Mladá Boleslav, me çekët që fituan 3:2 në ndeshjen e parë, Skënderbeut i ra praktikisht shorti më i mirë i mundshëm.
Nëse skuadra e Ilir Dajës kualifikohet dhe përballë do të ketë Mladan, që aktualisht është favorite, turi “play off” do të ishte mëse i arritshëm. Kjo edhe për faktin se gjatë edicionit të kaluar ekipi çek u eliminua në turin e tretë nga Shkëndija e Tetovës, që më pas u dorëzua në fazën “play off” përballë belgëve të Gentit.
Mjaft i kënaqshëm ishte shorti edhe për tetovarët, që pozicionoheshin në Grupin e parë në vazon e favoritëve, prej koeficientit të HJK Helsinkit. Në avantazh 3:1 përballë finlandezëve pas ndeshjes së parë, nëse Shkëndija kualifikohet në turin e tretë të Europa League do të luajë me fituesin e çiftit ndërmjet Norrkoping nga Suedia ose Trakait nga Lituania.
Kundërshtarë mëse të kalueshëm për kuqezinjtë, që sërish mund të synojnë fazën “play off”. Me fitoren 2:1 në ndeshjen e parë Norrköping është rivali më i mundshëm i tetovarëve, që do të kishin mundësi të hakmerreshin ndaj suedezëve edhe për eliminimin e Prishtinës në turin e parë.
Shorti në Nyon ishte më i miri i mundshëm për Skënderbeun dhe Shkëndijën, tashmë është detyra e skuadrave në fushë që të ruajnë nderin e shqiptarëve në Europa League.