Skënderbeu del me një qëndrim zyrtar në lidhje me çështjen e procedimit disiplinor në UEFA duke mohuar raportimet mediatike se klubi korçar është në përpjekje për të reduktuar një dënim të mundshëm, çka do të ishte praktikisht një pranim i fajësisë në lidhje me akuzat e ngritura nga inspektorët e UEFA-s.
Në komunikatën e tij klubi korçar mohon hipotezat se klubi ka marrë garanci mbi një dënim 3 vjeçar, dhe se ndryshe nga sa shkruhet presidenti Takaj dhe stafi ndodhen në Shqipëri dhe jo në Zvicër ndërkohë që nuk ka absolutisht një marrëveshje për të pranuar një dënim një vjeçar.
Skënderbeu saktëson se klubi dhe zyra juridike që e përfaqëson, nuk do të pranojë asnjë marrëveshje që dëmton klubin ndërkohë që premton se strategjia në betejën juridike është ajo për të luftuar deri në fund të këtij procesi për pafajësinë absolute të klubit dhe jo për të negociuar një dënim të reduktuar.
Dy nga inspektorët e UEFA-s kanë kërkuar për Skënderbeun një dënim me përjashtimin për 10 vjet nga kompeticionet Europiane, me publikimin e raportit të tyre që shkaktoi një jehonë të gjerë mediatike, ndërkohë që Skënderbeu në të gjitha daljet zyrtare ka mohuar kategorikisht përfshirjen e klubit apo pjestarëve të tij në manipulim të ndeshjeve.
Reagimi i Skënderbeut:
“Klubi i futbollit “Skënderbeu”, duke marrë shkas nga lajmi i publikuar sot në shtypin e shkruar dhe mediat online, mohon hipotezat se klubi ka marrë garanci mbi një dënim 3 vjeçar.
KF Skënderbeu sqaron opinionin publik dhe sportdashësit bardhekuq se ndryshe nga çfarë shkruhet, presidenti Takaj dhe stafi ndodhen në Shqipëri dhe jo në Zvicër. Nuk ka absolutisht një “marrëveshje” ose garanci për një dënim 3-vjeçar.
KF Skënderbeu dhe zyra juridike që përfaqëson klubin nuk do të pranojë asnjë marrëveshje ose garanci që dëmton klubin bardhekuq. Ju premtojmë që do kërkojmë dhe do të luftojmë deri në fund të këtij procesi për pafajësinë absolute të klubit.”