Një e dyshuar me probleme psikike është detyruar që të qëndronte disa ditë në Qendrën e Paraburgimit për Femra, në Lipjan, pasi që nuk kishte shtretër të lirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, në Prishtinë.
Ajo ishte arrestuar në Gjilan, më 8 janar, por për shkak të mungesës të shtretërve në atë institucion dhe në mungesë të hapësirës, Gjykata është detyruar që t’i vendosin personat me të meta mentale në qendrat e paraburgimit ku duhet të qëndrojnë me të burgosurit e tjerë.
Mirëpo, tashti e dyshuara gjendet në institucionin përkatës.
Ajo është shtrirë në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, pas qëndrimit disaditor në paraburgim, në Lipjan.
Liridona Xheladini, zëdhënëse në Prokurorinë Themelore në Gjilan, për IndeksOnlinen, e ka konfirmuar këtë lajm.
Ajo ka thënë se e dyshuara gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit.
“Për rastin në fjalë, Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të dyshuarës brenda afatit ligjor në Gjykatën kompetente në Gjilan, ka paraqitur, propozimin për caktimin e masës së paraburgimit, me ndalim në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, në Prishtinë, i cili propozim është aprovuar dhe e njëjta gjendet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, me qëllim të ekzaminimit dhe observimit”, tha ajo.