Fati nuk e ka përcjellë skitaren kosovare, Era Shala, në Lojërat Olimpike Dimërore për të Rinj “Lozana 2020”.
Përkundër vullnetit të madh dhe dëshirës për të garuar në një ngjarje të tillë, Shala me të ardhme të ndritur, sot theu këmbën gjatë përgatitjeve, një ditë para garës debutuese në sllallom të madh.
16-vjeçarja ishte duke u përgatitur në qendrën skitare “Les Diablerets” me trajnerët, Feim Kollçaku e Bujar Turjaka, kur theu këmbën.
Menjëherë, në ndihmë i dolën forcat emergjente të mjekësisë zvicerane, të cilat e bartën me helikopter nga qendra skitare në spitalin më të mirë të Lozanës, CHUV.
“KOK i uron operim të suksesshëm kampiones tonë dhe rikthim sa më të shpejtë në garat e ardhshme ndërkombëtare”.