Humbja e fundit nga Ponte Prizreni i ka prishur shumë punë klubit më të suksesshëm në basketbollin e Kosovës, Sigal Prishtinës. Kjo disfatë ka bërë që Sigal Prishtina mos ta ketë të sigurt mbetjen në Superligë për sezonin e ardhshëm, e aq më pak pjesëmarrjen në garat e plejofit.
Prishtina pësoi të dielën mbrëma nga Ponte Prizreni (105:101) për të mbetur në pozitën e shtatë, të parafundit, kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në përfundim të pjesës së rregullt të këtij kampionati. Ka 35 pikë sa i ka edhe Vëllaznimi në pozitën e fundit, kundërshtari i ardhshëm i Sigal Prishtinës.
Pas humbjes së fundit te Prishtina për momentin po mendojnë për ta mbajtur pozitën aktuale në tabelë dhe për të arritur këtë duhet ta mposhtin Vëllaznimin në Gjakovë, të dielën.
Kapiteni i Prishtinës, Edmond Azemi, është i brengosur që për herë të parë në histori të klubit rrezikohet rënia nga elita. Vetëm mbetja jashtë plejofit, sipas kapitenit Azemi, konsiderohet dështim.
Prishtina e nisi edicionin vetëm me lojtarë vendorë me të cilët e mbylli pjesën e parë. Kurse në fillim të këtij viti solli edhe tre amerikanë. Pjesë e Prishtinës është edhe basketbollisti nga Shqipëria, Daniel Lekndreaj.
“Realisht është dështim për Prishtinën nëse nuk mund të futet në plejof pasi kjo do të jetë hera e parë. Megjithatë, matematikisht jemi ende në garë për plejof dhe nuk e kemi ndërmend të dorëzohemi deri në fund. Humbja e fundit na ka prishur shumë punë, sepse me fitore do ta siguronim pozitën e parafundit dhe do të ishim një hap më afër plejofit”, ka insistuar Azemi të hënën. “Të gjithë e dinë se fillimi i sezonit ishte i vështirë për shkak të telasheve financiare, të cilat edhe ishin normale për shkak të pandemisë. Mirëpo, përkundër kësaj, ne kemi arritur të fitojmë Superkupën dhe Kupën. Edhe në kampionat kemi treguar paraqitje të mira por ndoshta ndryshimet e shumta kanë bërë të veten”.
Në fakt dy xhirot e fundit të pjesës së rregullt e përcaktojnë fatin e Prishtinës. Fillimisht Prishtina do të përballet në Gjakovë me Vëllaznimin në kuadër të xhiros së 27-të të Superligës së Kosovës në basketboll, përpara se ta pret skuadrën e Bashkimit në xhiron e fundit. Përballja me Vëllaznimin do të jetë vendimtare për pozitën e shtatë derisa ajo me Bashkimin për një vend në plejof, por duke pritur edhe rezultatet e ekipeve të tjera, në këtë rast Trepçës.
Trepça zë vendin e gjashtë me 36 pikë të mbledhura dhe patjetër duhet t’i fitojë dy ndeshjet e fundit të pjesës së rregullt, me Rahovecin në shtëpi e Ponte Prizrenin në udhëtim, për të siguruar plejofin. Në rast se Trepça mbetet me pikë të barabarta me Prishtinën, atëherë Prishtina do të avancojë tutje pasi ka bilanc më të mirë në ndeshjet e ndërsjella (3-1).
Azemi ka thënë se tani për tani fokusi i Prishtinës është te pozita e shtatë, të cilën mund ta sigurojë vetëm me fitore ndaj skuadrës së Vëllaznimit.
“Natyrisht synimi është të sigurojmë fillimisht pozitën e shtatë dhe kjo mund të arrihet vetëm me fitore ndaj Vëllaznimit. Primare për ne është të sigurojmë këtë pozitë që na dërgon në plejaut dhe pastaj të mendojmë për plejof”, është shprehur Azemi që duelin me Vëllaznimin e ka konsideruar si shumë të vështirë. “Nëse i fitojmë dy ndeshjet e fundit, atëherë pjesëmarrja në plejof është e mundur edhe pse gjithçka varet edhe prej rezultateve të ndeshjeve tjera. Ne po vazhdojmë të përgatitemi që të jemi gati për ndeshjen me Vëllaznimin dhe pastaj me Bashkimin”.
Ky edicion mbetet më i dobëti për Prishtinën, ndonëse arriti t’i fitojë dy trofe. Triumfoi në Superkupën dhe Kupën e Kosovës me dy trajnerë të ndryshëm. Superkupën e fitoi me Andin Rashicën, Kupën me Dragan Radoviqin, derisa javë më parë në postin e trajnerit e emëroi Ljupço Malinkovin, i cili në pjesën e parë të këtij sezoni ishte në krye të skuadrës së Vëllaznimit.
Rashica, i cili tani është ndihmëstrajner te Prishtina, ka pranuar se është hera e parë që ekipi përballet me një situatë të tillë. Megjithatë, ai ka insistuar se është optimist se Prishtina do t’i fitojë dy ndeshjet e fundit.
“Prishtina mund të futet në plejof se ka kapacitet dhe mbi të gjitha këtë ia ka borxh qytetit dhe tifozëve. Nuk është e lehtë ta shohësh Prishtinën në pozitë të tillë, por të gjithë jemi optimistë se mund t’ia dalim”, ka thënë Rashica, i cili duelin me Vëllaznimin e ka quajtur finale para finales. “Patjetër duhet t’i fitojmë dy ndeshjet edhe pse nuk do të jetë lehtë. Me këto fitore e sigurojmë pozitën e shtatë dhe pastaj mund të futemi edhe në plejof, varësisht prej rezultateve të ekipeve tjera. Atmosfera është e mirë në klub, ndonëse lojtarët janë paksa të mërzitur por të vendosur për të dhënë më të mirën në këto dy xhirot e fundit, ku do të përcaktohet fati ynë”.
Edhe plejmejkeri i Prishtinës, Nigel Johnson, tregohet optimist në prag të ndeshjeve kyç. Ai insiston se mbetja e Prishtinës në ligë as që diskutohet. Është i bindur se plejofi është i arritshëm për ekipin e tij. Prishtina deri më tani në kampionat ka nëntë fitore karshi 17 humbjeve në 26 ndeshje të zhvilluara, bilanc të ngjashëm me Vëllaznimin e rikthyer në elitë pas tre vjetësh. Johnson ka shtuar se Prishtina do të udhëtojë në Gjakovë për fitore, ndonëse ka vlerësuar ekipin e Vëllaznimit që ka pesë fitore në shtatë ndeshjet e fundit.
“Ne do të luftojmë për një pozitë në plejof dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Jo vetëm unë, por të gjithë në ekip janë optimistë se mund të marrim pjesë në plejof dhe për të arritur këtë i kemi edhe dy ndeshje deri në fund të pjesës së rregullt. Synimi ynë është pjesëmarrja në plejof dhe besoj se mund ta arrijmë këtë”, është shprehur Johnson