Skuadra ruse e futbollit FC Ufa ka njoftuar se do të marrë vendim të hënën nëse do të duhet të humbasë me rezultat zyrtar ndeshjen e Ligës së Evropës ndaj ekipit skocez Rangers, për shkak të dështimit të sigurimit të vizave për t’u futur në Mbretëri të Bashkuar.
Rangers do të përballet me Ufa-n në fazën e plejofit të Ligës së Evropës, ndërsa fituesi do të kalojë në fazën e grupeve të kësaj gare.
Ndeshja e parë do të luhet në Ibrox në Glasgow të enjten dhe kjo ka hapur telashe të mëdha për ekipin rus, që është për herë të parë në garat evropiane, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”.
Për shkak të periudhës së shkurtër nga ndeshja e fundit në Luksemburg ndaj Progres Niederkornit, skuadra ruse nuk ka pasur kohë të mjaftueshme që të sigurojë viza britanike për të gjithë lojtarët me proces normal.
Krerët e klubit rus po shpresojnë që aplikimi i tyre të shqyrtohet me urgjencë, por kanë pranuar se mund të mos realizohet kjo.
Javën e kaluar, çiklistit rus Igor Frolov iu pamundësua pjesëmarrja në Kampionatin Evropian në Glasgow, pasi nuk pati mjaftueshëm kohë për të siguruar vizën britanike.
Dhe Spartak Moska nuk ishte në gjendje të dërgonte skuadrën e të rinjve në turneun Milk Cup në Irlandë të Veriut këtë verë për shkak të kufizimeve të reja për viza.
Ufa shpreson që ambasada britanike në Moskë të shqyrtojë me urgjencë aplikimin.