Klubeve të Premier Leagues mund t’u lejohet që të kompletojnë stinorin në stadiumet e tyre, pas ndryshimit të qasjes nga autoritetet që do largojë pengesën kryesore drejtë implementimit të Projektit Rifillimi, ka shkruar Daily Mail të martën.
Bisedimet e palëve të përfshira kanë bërë që çështja e licencimit të stadiumeve të caktuara për zhvillimin e ndeshjeve të jetë kompetencë e autoriteteve lokale të policisë. Sipas Daily Mail, policia nuk kundërshton zhvillimin e ndeshjeve në të gjitha stadiumet, nëse një numër i kritereve të sigurisë plotësohen.
Fillimisht ishte ideja që ndeshjet të luhen në terrene neutrale për të pamundësuar grumbullimin e tifozëve në afërsi të stadiumeve. Por kjo ishte kundërshtuar nga klubet e fundit të tabelës.
Tani policia nuk e vlerëson të pamundshme zhvillimin e ndeshjeve në të gjitha stadiumet, nëse klubet mbulojnë shpenzimet për numër të mjaftueshëm të pjesëtarëve të sigurisë. Ndeshjet do të luhen pa shikues në stadiume, por duhet të merren masat që mos të ketë grumbullime të shikuesve në afërsi të stadiumeve, përkatësisht që të mbahet distanca sociale.