Shpenzimet nga skuadrat e pesë ligave më të mëdha të Evropës në futboll, gjatë afatit kalimtar të verës, kanë arritur shifrën e 5.5 miliardë eurove. Kështu ka njoftuar të martën grupi për analiza financiare, Deloitte Sports Business Group.
Shpenzimet janë për 900 milionë euro më tepër sesa rekordi i kaluar i vendosur në vitin 2018, ndërsa prin Premier League e Anglisë që këtë herë shpenzoi 1.55 miliardë euro.
La Liga spanjolle shpenzoi 1.37 miliardë euro, duke e kaluar për herë të parë shifrën e një miliard eurove, ndërsa Serie A e Italisë arriti shifrën e 1.17 miliardë eurove.
Bundesliga e Gjermanisë, përkatësisht klubet e saj, shpenzuan 740 milionë euro dhe Ligue 1 e Francës 670 milionë euro. Për të gjitha ligat, në përjashtim të Premier Leagues janë shifra rekorde.
“Shpenzimet e klubeve në pesë ligat e mëdha të Evropës kanë arritur nivele rekorde në këtë afat kalimtar të verës”, ka thënë Dan Jones, partner në Grupin Për Biznes Sportiv të Deloittes. “Ky nivel i paprecedentë i shpenzimit është shtyrë nga një numër faktorësh, përfshirë të hyra shtesë nga ciklet e reja të transmetimeve të ligave, po ashtu nga paratë nga pjesëmarrjet në gara të klubeve të UEFA-s”.
Po ashtu Jones ka thënë se faktorët specifikë të klubeve si ndryshimet në menaxhment dhe përmirësimi i skuadrave për të arritur synimet në fushë, ishin faktorë kontribuues për këtë rekord./Kohanet