Këshilla për kursimin e parave

Prishtinë | 05 Mar 2023 | 07:00 | Nga Ekonomia Online

Të gjithë ne blejmë pafund gjëra nga më të ndryshmet që nuk na duhen. Disa më shumë, disa më pak. E rëndësishme është të kursejmë, sidomos për gjërat e panevojshme.

Ekonomia Online ju sjell disa ide si mund të shmangen disa nga shpenzimet më të mëdha mujore:

Veshjet dhe aksesorët – Shumicës mezi u nxë dollapi rrobat, dhe përsëri të gjithë ankohen se nuk kanë çfarë të veshin. Mos shpenzo për rroba/këpucë/çanta aq shumë. Bli vetëm gjërat e nevojshme dhe nuk ka pse të jenë marka të kushtueshme. Për njerëzit që kanë miliarda dollarë, si Warren Buffet, Steve Jobs, Bill Gates, Mark Zuckerberg, etj, veshja është fare e parëndësishme për ta, sepse nuk duan të provojnë asgjë përpara të tjerëve rreth statusit të tyre (meqë të gjithë e dinë). Një orë 20 euroshe, e mat kohën njësoj si një 500 euroshe.

Vetura – Aq e nevojshme sa është, aq edhe e zbraz buxhetin e gjithsecilit. Nuk ka rëndësi sa është vlera e makinës, shpenzimet e karburantit, mirëmbajtjes dhe taksave, janë të mëdha. Nëse ke ndërmend të bëhesh i pasur, mos mbaj një makinë sepse ato para do të të duhen. Ec në këmbë, biçikletë, apo autobus. Nuk është sakrificë e madhe.

Shtëpia – Nëse jeton me prindërit dhe ke mundësi të rrish aty akoma, është mirë. Nëse të duhet të lëvizësh nga ata, merr shtëpi të lirë me qera dhe ndaje qeranë me dikë tjetër. Nëse jeton me dikë tjetër, ndan edhe qeranë edhe shpenzime të tjera të shtëpisë.

Teknologjia – Kjo është fusha që ta bën me sy 24 orë për të të marrë paratë. Ke mundësi të pafundme për të shpenzuar para në pajisjet teknologjike për t’u argëtuar, për të shitur mend, për të pasur në TV 1000 kanale që nuk i sheh asnjëherë dhe për kaluar kohën. Shumë rrallë, dikujt i duhet një pajisje e shtrenjtë si investim.

Baret dhe restorantet – Sigurisht që njeriu ka nevojë të argëtohet dhe të heqë stresin duke dalë herë pas here me shoqërinë, por tek paratë që shpenzojmë për të pirë dhe për të ngrënë jashtë, ka gjithmonë vend për të kursyer. Është e tepërt që të harxhohen për pije vazhdimisht. Gjithashtu, gatimi në kushte shtëpie është më pak se çereku i kostos që të bie po të hash në restorant.

Veset – Hiq menjëherë dorë nga veset si duhani, alkooli, drogën zëre se nuk po e përmend fare, bixhozi, lotaritë, bastet sportive, kazinotë dhe gjithçka që është provuar prej shekujsh që nuk kanë asnjë të mirë përveç problemeve shëndetësore, sociale dhe financiare.

Nëse kurseni në këtë mënyrë, do të keni mundësi të paguani veten jo 10%, por deri në 50% sipas të ardhurave mujore që keni për momentin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme