Skulptura elementale – të cilësuara kësisoj sepse inspirim bazë kanë elemente si toka, dielli, era e uji – dhe inovacione prej letre, janë ekspozuar për të shpërfaqur një pjesë të artit bashkëkohor bullgar.
Dy ekspozita të përmbledhura në një të vetme, janë prezantuar para audiencës edhe për t’i shtruar rrugë një bashkëpunimi të ardhshëm mes Kosovës e Bullgarisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Artistët Todor Todorov e Daniela Todorova qenë protagonistë të mbrëmjes, në të cilën u hap ekspozita e radhës në Galerinë Kombëtare të Kosovës, të martën mbrëma. I pari ka prezantuar një ekspozitë me posterë të përmasave të mëdha, në të cilët pasqyrohen skulptura të realizuara dhe makete të atyre që janë në proces të realizimit, teksa e dyta ka mbushur një hapësirë të tërë ekspozuese me vepra arti që në Bullgari kanë marrë nam si inovacione prej letre.
Ekspozita e fondacionit “Amateras” i është kushtuar Presidencës së Bullgarisë të Këshillit të Evropës gjatë 2018.
Ekspozita e Todorit është titulluar “Skulptura elementale”, derisa ajo e Danilas “Inovacione në letër”. Të dyja përbëjnë një koleksion që prezanton punën që të dy e bëjnë prej vitesh.