Prishtina me skulpturë të re dedikuar librit dhe shëndetit mendor

Prishtinë | 21 Gus 2020 | 16:19 | Nga Ekonomia Online

Puna me raportin hulumtimtues “Efekti i të lexuarit në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve të Kosovës”, sot u kurorëzua me përurimin e një skulpture e cila ngërthen trurin dhe librin, e në të cilën janë gravuar të gjeturat krysore të këtij raporti.


Kjo skulpturë është vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, mes Kino “ABC” dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. E njëjta do të qëndrojë për një muaj aty si lokacion ekspozues i veprës artistike, e më pas me organizimin e një ceremonie do t’i dhurohet bibliotekës së qytetit “Hivzi Sulejmani”, në oborrin e së cilës do të qëndrojë përherë.


Në skulpturën e punuar nga Butrint Morina, qytetarët do të kenë mundësi të lexojë rezultatet e dala nga hulumtimi gjashtë mujor i organizatave partenere ETEA, Qendra për Hulumtime Psiko-sociale dhe Mjekësore si dhe Qendra për Afirmimin Social të të Rinjve.

Disa nga të gjeturat e gravuara në faqet e librit të kësaj skulpture janë, si vijon: “Nxënësit që lexojnë libra jashtëshkollor kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”; “Të lexuarit aktiv ka ndikim pozitiv në mirëqenien psikologjike dhe inteligjencën emocionale të fëmijëve.”; “Fëmijët që lexojnë më shumë libra në vit dhe ata që janë të regjistruar në bibliotekë kanë mirëqenie psikologjike dhe inteligjencë emocionale më të lartë.”

Skulptura është pjesë e projektit “Ndikimi i leximit aktiv në shëndetin mendor të fëmijëve” dhe është përkrahur nga Forumi për Iniciativa Qytetare dhe INDEP me burim financiar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, gjithashtu ky projekt përkrahet edhe nga Komuna e Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme