Pas një aksioni policor mbrëmjen e së enjtes, janë arrestuar disa anëtarë të organizatës Lëvizja Studentore për Barazi – “Studim Kritikë Veprim”.
Ky arrestim u bë pasi që në “Parkun e Qytetit” po zhvillohej një festë me rastin e 8-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, raporton Ekonomia Online.
Berna Ramaxhiku, nga kjo organizatë, tha se kanë bërë kërkesë për të mbajtur këtë organizim dhe nuk kanë pasur ndonjë refuzim nga Policia.
“Organizata shënoi 8-vjetorin e themelimit në parkun e qytetit, kishim dorëzuar kërkesën por u paraqiten policia që të ulej zëri për muzikë, por nuk ishte i ngritur zëri. Ne u dakorduam që të përfillnim urdhërat e tyre, por përsëri erdhën policia dhe filluan me ofendime, duke i sulmuar studentët pa pasur arsye”.
Ndërsa Flamur Pireva, po nga kjo organizatë, tha se pasi që nuk ka ministër të MPB-së, përgjegjës është drejtori i policisë, Shpend Maxhuni, dhe kryeministri Ramush Haradinaj.
Sipas SKV-së, e cila njihet për afërsinë me subjektin politike Vetëvendosje, urdhri për këto arrestime është politik.
Aktivistët e SKV-së gjatë konferencës për medie, para stacionit policor “Qendra” në Prishtinë, mbanin në duar disa fotografi, me fytyrat e studentëve të lënduar.
Ai tha se këto arrestime po bëhen për teke të dikujt dhe se “disa media po shpifin kundër tyre”, duke mohuar se kishte të pranishme substanca narkotike.
Ndërsa, major Shkelzen Xhafa, komandanti i Stacionit “Qendra”, tha se nuk kanë pasur njoftim se kjo organizatë do të mbajë festë në Parkun e Qytetit, dhe sipas tij ndërhyrja është bërë pasi që janë ankuar qytetarët për prishjen e qetësisë publike.
“Mbrëmë kemi pranuar ankesa nga qytetarët për zhurmën e krijuar në parkun e qytetit. Në ora 21 ka dalë policia në vend-ngjarje, ka shkuar në park ka parë që në park të qytetit po prishet rendi dhe qetësia publike. Ne iu kemi thënë të ulin zërin e muzikës. Edhe në ora 22:47, policia ka marrë thirrje nga disa qytetarë, për disa persona që kanë lëshuar muzikë në vendin e njëjtë pra në Parkun e Qytetit, dhe se po përdorin pije alkoolike dhe narkotikë”.
Ai tha se janë lënduar 8 persona zyrtarë të Policisë së Kosovës, tre prej tyre të lënduar më shumë.
“Janë lënduar 8 persona zyrtarë që kanë kërkuar ndihmë në QKUK. Tre të lënduar më rëndë. Policia nuk ka qenë e paralajmëruar për të festuar nga kjo organizatë. Policia ka gjetur disa gjësende”
“Ka qenë në vend të ngjarjes edhe prokurori. Është vendosur që 6 persona të shkojnë në prokurori”.
Ai nuk ka dhënë detaje se për çfarë “gjësende” bëhet fjalë, meqenëse prokuroria po heton.