Kryeministri dhe Ministri i Arsimit të mbajnë përgjegjësi për gjendjen e rënduar të Arsimit të Lartë
Agjencia e Akreditimit u përjashtua nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë si pasojë e ndërhyrjeve për të instaluar njerëz të pushtetit aktual.
Përgjatë gjithë ekzistencës së saj, Lëvizja Studentore Për Barazi – “STUDIM KRITIKË VEPRIM” ka ngritur si shqetësim autonominë e arsimit dhe Universitetit përkundër pushteteve të deritanishme që për synim kishin kapjen e arsimit dhe kësisoj rritjen e klientelës dhe shtimin e mjeteve të kushtëzimit.
Kur arsimi nuk është prioritet, sigurisht se bëhet njëri nga mjetet për të ushtruar pushtet.
Në linjë të njëjtë është edhe vendimi i ministrit aktual të arsimit, Shyqiri Bytyqi, nën urdhërat e kryeministrit, Ramush Haradinaj. Ai së pari shkarkoi komplet Këshillin Drejtues, organ ky që mbytë autonominë e Universitetit, për të vendosur njerëzit e pushtetit dhe më pas edhe Bordin e Agjencisë së Akreditimit.
Lëvizja studentore për barazi – “STUDIM KRITIKË VEPRIM” është e vetëdijshme që kapja e arsimit nuk është vetëm formale e brutale por edhe strukturore e rrënjësore. Përkundër kësaj ne nuk guxojmë të lejojmë që arsimi të degradojë edhe më tutje. Janë po këta politikanë që shesin çdo gjë në emër të integrimeve teksa arsimi është njëra nga fushat kyçe ku shihet qartazi se politikat e tyre bien ndesh me zhvillimin dhe emancipimin shoqëror. Ky është izolimi i vërtetë. Kur studentit që ka studiuar në Kosovë, rrezikon mos t’i njihet diploma, pra liberalizimi i vizave do të siguronte për studentët tanë lëvizje të lirë vetëm si punëtorë krahu.
Përgjegjës për këtë gjendje të krijuar ne e mbajmë Kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj për shkarkimin e Bordit dhe ushtruesit të detyrës, pa dhënë asnjëherë asnjë sqarim lidhur me vendimin e poashtu Ministrin e Arsimit Shyqiri Bytyqi i cili lejoi këtë vendim absurd.
Në këtë situatë minimumi çfarë ne presim që të ndodhë është përgjegjësia publike e menjëhershme e të dy të lartpërmendurve. Kërkesat tona urgjente janë që:
1. Ministri i Arsimit duhet sa më parë t’i drejtohet Komisionit të Regjistrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë duke i ofruar sqarime për arsyet e shkarimit të bordit të kaluar të AKA-së. Për shpërfilljen e neglizhencën e deritanishme gjithsesi se duhet të jepet përgjegjësi.
2. Ministri dhe Kryeministrit sipas Ligjit për Arsimin e Lartë , duhet menjëherë t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosvës për arsyet e shkarkimit të Bordit të AKA-së, si dhe t’i njoftojë sa më parë për të gjitha shkeljet e supozuara mbi të cilat është marrë vendimi për shkarkimin e tyre. Vetëm përmes votimit të vendimit në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mund të sigurohej llogaridhënie, transparencë dhe përgjegjësi politike. Në të kundërtën, arbitrariteti është ajo për çka kjo qeveri do njihet, përpos kravatave e propozimeve vetjake për rritje të rrogave.
3. Në këtë situatë urgjente ne bëjmë thirrje që propozimet e emrave të antarëve të rinj të Bordit të ndërprerjnë vazhdën e mbivendosjeve për mbrojtije të interesave klanore, biznesore e partiake. Kuvendi duhet të votojë secilin prej të propozuarve duke vlerësuar profesionalizmin e tyre për të cilat kritere këta emra duhet të jenë të propozuar.
4. Ligji për Arsimin e Lartë sa më parë duhet të ndryshohet në mënyrë që ndikimet politike të menjanohen nga Ministri i Arsimit nuk duhet të ketë kompetenca për propozimin e emrave të rinj të anëtarëve të Bordit të AKA-së. Ndërsa propozimi i emrave të anëtarëve nuk duhet të votohet si pako në Kuvendin e Republikës së Kosovës, pra përzgjedhja e anëtarëve të Bordit duhet të jetë e bazuar në kritere dhe emërimi e votimit të tyre duhet të bëhet veç e veç. Vetëm në këtë mënyrë vlerësimi mund të jetë mbi profesionalizmin e të propozuarve. Në të kundërtën ne do të përgjigjemi me rezistencë studentore e cila nuk do të lejojë degradim të mëtutjeshëm.
Ne nuk do të heshtim!