SKV kërkon dorëheqjen e prorektores Pustina-Krasniqi pas deklaratës për ngacmimet seksuale në UP
Organizata “Studim, Kritikë, Veprim” ka mbajtur një aktivitet simbolik në lidhje me gjendjen në Universitetin “Hasan Prishtina”.
Kjo organizatë para rektoratit u paraqit me disa pankarta dhe rroba. Në këtë mënyrë ata protestuan dhe reaguan kundër ngacmimeve seksuale që po ndodhin në institucione publike, raporton Ekonomia Online.
Njëri nga pjesëmarrësit në këtë aksion është përplasur me sigurimin kur ka shkruar mbi murin e rektoratit “Askush nuk pyeti çka kishte veshur ngacmuesi”.
Kështu ata shprehën pakënaqësinë edhe ndaj prorektorës Teuta Pustina-Krasniqi e cila kishte thënë se studentët me “veshje provokative” nxisin ngacmime seksuale.
Berita Abazi, studente e Fakultetit Juridik tha se prorektorja duhet të mbahet përgjegjëse, duhet ta pranojë gabimin e bërë dhe ta luftojë këtë dukuri ose të jap dorëheqje.
“SKV sot me këtë aksion mban përgjegjës rektoratin për mos reagimin e mostrajtimin e kulturës seksiste, që kultivohet, arsyetohet e justifikohet në Universitetin e Prishtinës, nga profesorët e deri tek prorektorët”, tha Berita Abazi.
Po ashtu Abazi shtoi se para kodit të veshjes vëmendja duhet të bie tek kodi i sjelljes dhe se askush nuk pyet se çfarë kishte veshur ngacmuesi.
Gjatë aktivitetit foli edhe Premton Zogiani, student i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.
“Ne si studentë të Universitetit të Prishtinës jemi dëshmitarë të kulturës seksite qe na rrethon që nga rrugët e deri tek institucionet publike. Shpërfaqja e seksismit bëhet duke filluar me përmbajtje të teksteve si kriminalistika e Vesel Latifit dhe deklarata heshtëse e arsyetuese të ngacmimeve si ajo e prorektores Teuta Pustina-Krasniqi dhe ngacmimeve që janë bërë nga ish-ministrja dhe profesor të Universitetit”, tha Zogiani.