Ish-kryeministri i Sllovakisë, Igor Matoviq, dha dorëheqjen shkaku i vaksinave ruse
Sllovakia planifikon t’i shesë ose t’i falë vaksinat ruse “Sputnik V”, është bërë e ditur në sajtin zyrtar të Qeverisë.
Bëhet fjalë për një kontingjent prej 160 mijë vaksinash, ndërkohë që të interesuara për to janë Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Argjentina.
Në fakt, vaksinat ruse u bënë shkak që kryeministri Igor Matoviq të japë dorëheqjen në mars, pasi kishte firmosur marrëveshjen për blerjen e dy milionë vaksinave ruse pa konsultim me partnerët e koalicionit, që ishin kundër kësaj, pasi vaksina nuk ishte miratuar për përdorim nga rregullatorët evropianë e botërorë.
Në Sllovaki kishte mbërritur vetëm kontingjenti i parë me 200 mijë vaksina, ndërkohë 40 mijë prej tyre janë administruar në fillim të qershorit, kurse kanë tepruar edhe 160 mijë.
1.8 milionë vaksinat tjera ruse, bazuar në kontratë, Qeveria e Sllovakisë ka njoftuar se nuk do t’i pranojë.
Deri më tash, Sllovakia ka administruar 3.7 milionë vaksina, derisa 1.4 milionë banorë janë vaksinuar edhe me dozën e dytë. Vendi ka 5.5 milionë banorë.