Deputetët e Kuvendi të Kosovës nuk kanë përkrahur kërkesën e LDK-së për shtyrjen e seancë së jashtëzakonshme të thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Avdullah Hoti, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka kërkuar nga kryeministri që kërkesën e jashtëzakonshme për platformën dhe delegacionin ta shtyjnë për një ditë tjetër pasi që është dita e tretë e Epopesë së UÇK.
“Sot është dita e tretë e Epopesë kë ka ndodhë masakra dhe sot mbahet seanca me kërkesë të kryeministrit pa asnjë urgjencë me i zgjidhë çështjet e brendshme për dialog”.
“Kjo është fyerje e atyre viktimave. Nuk ka asnjë kuptim që sot në ditën e tretë të epopesë të mbahet. Kërkojmë që kryeministri ta tërheqë kërkesën dhe ky debat të vazhdojë një ditë tjetër”.
Fillimisht kjo seancë u ndërpre për një pauzë 15 minutëshe për shkak të mungesës së deputetëve në sallë, por punimet e Kuvendit nisën pas një ore.
Në rend dite është: Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit shtetëror të Kosovës në procesin e dialogut dhe shqyrtimi i Platformës për dialogun mbi Marrëveshjen përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve.