Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë në mungesë të kuorumit.
Gjatë diskutimit në seancën e sotme plenare, Ministrja e Mjedisit, Albena Reshitaj, tha se Projektligji është hartuar me ndihmën e Zyrës së Bashkimit Europian.
Në momentin që hyn në fuqi Projektligji, sipas saj, vendi do të përfitojë miliona euro nga Komisioni Europian.
“Kosova do të përfitojë rreth 10 milionë euro nga Komisioni Evropian në formë të grandi me hyrjen në fuqi të këtij projektligji”.
Sala Berisha Shala, si kryetare e komisionit, tha se ky projektligji është shqyrtuar dhe përkrahur nga komisioni.
Ajo foli edhe në emër të grupit parlamentar të PDK-së duke dhënë mbështetjen për këtë projektligj dhe duke e vlerësuar rëndësinë e këtij projektligji.
Liburn Aliu nga LVV, ndërkaq, tha se do të ishte mirë që me këtë projektligj t’i kushtohet më shumë rëndësi sektorit privat, në mënyrë që të implementohen kërkesat e BE.
” Mendoj që duhet të kemi program të subvencionimit të objekteve private që qytetet të kenë mundësi të investojnë. Në efiçiencë e shteti të subvencionojë një pjesë”, raporton Ekonomia Online.
Ligji për efiçiencë, tha deputetja Mimoza Kusari-Lila, është i domosdoshëm.
“Ajo çfarë duhet të punohet është të gjendet forma e strukturimit publik për fondin përgjegjësinë e fondit”.
Mbështetje për projektligjin dha edhe Visar Imeri nga PSD.
“Në si grup parlamentar natyrisht se e përkrahim projektligjin, ndërsa vërejtjet tona amandamentimet do t’i drejtojmë kah komisioni për zhvillim ekonomik”.
“Fondi për rritjen e efiçiencës së energjisë është i mirëseardhur mirëpo shënimi i tij duhet të jetë afatgjatë në mënyrë që ky fond të mos jetë vetëm për rritjen efiçiencës së energjisë por edhe përdorimin efikas”.
“Ky fond, i cili po themelohet, tash do të kishte me qenë një prej portofoli të një banke publiko-private që duhet të themelohet në Kosovë”.