Socialistët fitojnë zgjedhjet në Spanjë, por rritet e djathta ekstreme

Prishtinë | 11 Nën 2019 | 11:39 | Nga Ekonomia Online

Socialistët që kanë qeverisuar deri më tani në Spanjë, kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet e së dielës, mirëpo kanë humbur shumicën, meqë partitë e krahut të djathtë kanë shënuar fitore të mëdha.

Partia Popullore konservatore është renditur e dyta dhe partia e të djathtës ekstreme, Vox ka fituar më shumë se dyfishin e votave në krahasim me zgjedhjet e kaluara, duke u shndërruar në partinë e tretë më të fuqishme në këtë shtet.

Këto kanë qenë zgjedhjet e katërta që janë mbajtur në Spanjë në katër vjetët e fundit.

Një procesin zgjedhor të mbajtur në muajin prill, nuk ka pasur shumicë të qartë, andaj socialistët kanë dështuar që të formojnë koalicion qeveritar.

Këtë herë, socialistët kanë fituar 120 ulëse nga 350 sa janë në total, apo tri më pak në krahasim me zgjedhjet e muajit prill.

Çfarë ndodh tani?

Teksa u është drejtuar mbështetësve socialistë pas shpalljes së rezultateve, kryeministri, Pedro Sanchez ka thënë se është prioritet i tij që të “formojë qeveri stabile dhe të bëjë politikë për të përfituar shumica e spanjollëve”.

“Dëshiroj t’iu bëj thirrje të gjitha partive politike, që të veprojnë me përgjegjësi në mënyrë që të zhbllokohet situata politike në Spanjë”, ka thënë ai.

Pas dështimit për të formuar qeverinë, Sanchez kishte shpresuar se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të fuqizonte dorën e partisë së tij, mirëpo Pablo Iglesias, lider i krahut të majtë, Podemos, ka paralajmëruar se ky proces vetëm ka forcuar të djathtën ekstreme.

“Edhe një herë ne i zgjasim dorën Partisë Socialiste dhe Pedro Sanchezit”, ka thënë ai, duke bërë të ditur se është i gatshëm për të nisur bisedimet me këtë parti.

Podemos është aleat politik natyral i Partisë Socialiste.

Megjithatë, një koalicion në mes të të dyja grupeve sërish nuk do të arrinte numrin e duhur për shumicë parlamentare.

Partia e të djathtës ekstrem, Vox, konsiderohet se ka përfituar nga situata në Katalonjë dhe ndjenja e fortë anti-separatiste në rajone tjera të Spanjës.

“Sot në Spanjë është bashkuar një mundësi patriotike dhe një mundësi shoqërore, e cila kërkon unitet kombëtar për rregullim të rendit kushtetues në Katalonjë”, ka thënë lideri i partisë Vox, Santiago Abascal para mbështetësve të tij.

Si është komentuar rritja e të djathtës ekstreme?

Rritja e shpejtë e partisë Vox, është kthyer në një prej pikave kyçe të diskutimit.

Spanja është paraqitur imune para valës në rritje të popullizmit të së djathtës ekstreme në kontinent në dekadën e fundit, ndonëse ky vend është përballur në të kaluarën me diktaturën ushtarake të gjeneralit, Francisco Franco.

Mirëpo tani Vox ka krijuar idenë se është forcë e madhe në politikën spanjolle.

Liderja e partisë të së djathtës ekstreme në Francë, Marine Le Pen ka uruar përmes një postimi në Twitter, partinë Vox për “suksesin e jashtëzakonshëm”.

Popullisti italian, Matteo Salvini, po ashtu ka folur me gëzim për suksesin e partisë Vox.

“Aspak racizëm dhe fashizëm, në Itali dhe në Spanjë ne vetëm duam të jetojmë në paqe në shtëpinë tonë”, ka thënë ai po ashtu në Twitter.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme