Sogojeva Dermaku: Mbrojtja e privatësisë ende në nivel jo të kënaqshëm në Kosovë, nga viti 2015 nuk zbatohet vendimi për faturat e hapura

Prishtinë | 28 Jan 2024 | 13:15 | Nga Valmire Abdullahu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Lëvizja FOL, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Dhënave, ka mbajtur një diskutim me komisioneren për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva Dermaku, në forumin “FOL Hapur”.

Temë diskutimi ishin: Shkelja e privatësisë nga faturat e hapura; Të dhënat personale dhe mbrojtja e tyre e sektorin shëndetësor dhe atë arsimor; si dhe Mbrojtja e të dhënave, media dhe interesi publik.

Sogojeva Dermaku ka thënë se vendet e zhvilluara evropiane kanë ecur shumë në mbrojtjen e të dhënave, e pastaj me obligimet që i marrin institucionet, si private apo publike, derisa në Kosovë ndërgjegjësimi për mbrojtjen e të dhënave dhe të privatësisë ende nuk është në nivelin e kënaqshëm.

“Sado që kemi punuar në të gjitha fushat, përsëri numri i ankesave që parashtrohet të ne për ta mbrojtur privatësinë është i vogël. Përsëri kur i shohim çdo ditë, çdo hap, kudo që kemi dyshime që kemi shkelje të privatësisë veprojmë. Privatësia fillon nga vetë individi. Niveli i përgjegjësisë në Kosovë ende është në nivel jo të kënaqshëm”, tha komisionerja Sogojeva Dermaku, raporton Ekonomia Online.

Duke folur për shkeljen e privatësisë me rastin e shpërndarjes së faturave të hapura, nga ndërmarrjet publike dhe private, Sogojeva Dermaku tha se AIP sivjet e ka nisur javën për ta shënuar Ditën e mbrojtjes së të dhënave pikërisht me këtë çështje. “Duke pasur parasysh që kemi një vendim të gjykatës themelore që nga viti 2015, që ende nuk është zbatuar, që ka të pasur të bëjë pikërisht me faturat e hapura”.

“Të gjitha masat e sigurisë që vendos nga cilido kontrollues është e kushtueshme, kryesisht ndërmarrjet qoftë institucione publike apo private, janë ankuar sepse është një kosto shtesë, por gjithsesi qëllimi jonë është t’iu kërkojmë saktë, ata duhet të ndërmarrin masa që faturat mos të shkojnë hapur. Kjo normalisht nuk do të ndodhë brenda dy muajve, por mund të zgjasë brenda disa muajve”.

Problem me mbrojtjen e të dhënave ka dhe në sektorin e shëndetësisë. “Sfida më e madhe në sektorin shëndetësor, duke filluar prej QKUK-së, përfshirë laboratorin, ordinancat të ndryshme, pak janë të ndërgjegjësuar për mbrojtjen e të dhënave”.

Por, Sogojeva Dermaku thekson se edhe qytetari duhet ta dijë dhe të mos ofrojë të dhënat kudo që i kërkohen.

Sa i përket mbrojtjes së të dhënave në arsim, Agjencia për Informim dhe Privatësi, gjatë vitit 2023,
bashkë më njërin nga mbështetësit, ka mbajtur trajnime të mësimdhënësve dhe bashkëbisedim me qëllim që të ta kuptojnë rëndësinë e mosekspozimit të të dhënave private. “Kemi një material shumë të mirë që ka dalë nga ky projekt”.

Një fushë ku ka mjaft probleme me mbrojtjen e të dhënave janë dhe mediet.

Sogojeva Dermaku theksoi se mediet e kanë obligim të ruajnë të dhënat personale, edhe nëse i marrin informatat nga institucionet.

“Fakti që qytetarët ankohen edhe pse në numër të vogël, por ka rritje në vitin 2023, tregon se është duke u ndërgjegjësuar shoqëria jonë”.

Ajo sugjeron që të gjitha mediet t’i publikojnë me iniciale dhe fotografitë i bëjnë të mjegullta, ta zëmë për raste, kur raportohet nga gjykatat etj.

Të ngjashme