Pandemia më së shumti ka dëmtuar pronarët e hoteleve dhe turizmin duke humbur afër një miliard euro, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online Hysen Sogojeva, kryetar i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit në Kosovë.
Por që sipas tij, po të kishte pak kujdes ka pasur mundësi që të evitohet kjo gjendje që ai e quan drastike.
“Dasmat nëse i marrim në tërësi afër një miliard i ka dëmtuar kur e shikojmë krejt qarkullimin dhe është shumë dëm i madh bile me pak kujdes kemi mundur ta evitojmë sepse është e palogjikshme sallat me 1 000 metër katror bile 150 kanë mundur të mbajnë dasmën”.
Sogojeva falënderon zëvendëskryeministrin Besnik Tahiri i cili ka dëgjuar sugjerimet e tyre për të mos shkuar deri te mbyllja totale.
Mes tjerash, ai shtoi se i kanë ikur mbylljes për të shpëtuar milionat.
Ai beson që pandemia do të përfundojë vitin tjetër dhe qytetarët do t’i kthehen jetës normale, raporton EO.
“Duke falënderuar disa nga qeveritarët dhe zëvendëskryeministrin Besnik Tahirin na kanë dëgjuar dhe kanë marrë sugjerimet tona ne si Odë e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Oda Ekonomike dhe Oda Amerikane kemi ndikuar direkt që të kemi këtë gjendje dhe kemi larguar mbylljen”.
“Po të mos kishim ndikuar në këtë formë ndoshta do të ishim në mbyllje totale e cila kishte me qenë edhe më drastike. Me një fjalë i kemi ikur mbylljes dhe kemi shpëtuar milionat. Unë shpresoj që në dhjetor eventualisht janari do të përfundojë gjithçka dhe do ti kthehemi jetës normale”.