Trajneri Bylbyl Sokoli, pas humbjes së fundit nga Drita e Gjilanit, ka thënë se vështirë se do të qëndrojë pas janarit në skuadrën e Vllaznisë së Pozharanit.
“Marrëveshja ka qenë deri në janar. Të shoh me miqtë në klub se çfarë do të bëjmë. Nuk besoj se do të vazhdojmë, por mos të flasim tashmë pas ndeshjes. Dalja nga kriza është e mundur. Qëllimi ka qenë të nxirret maksimumi nga ekipi. Jemi përpjekur të gjithë”, ka thënë Sokoli.
Lidhur me epilogun e ndeshjes ndaj Dritës, “Profa” deklaroi: “Pësuam gola shumë naive. Kemi pritur një ndeshje të vështirë. Kemi synuar ta mbulojnë Kastriot Rexhën dhe një lojtar yni ka qenë në detyrë, por dështuam. Është vështirë të përcaktohet një strategji që të luhet 90 minuta. Ekipi ynë pati forcë të luajë 45 minuta. Kështu ka ndodhur edhe në ndeshjet e kaluara”.