Sokoli optimist për fitore të Kosovës ndaj Çekisë

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 12:13 | Nga Ekonomia Online

Ish-trajneri i disa klubeve elitare kosovare, Bylbyl Sokoli, ka dhënë mendimin e tij për përfaqësuesen e Kosovës për dy sfidat e nëntorit.

Sipas tij “Dardanët”, mund të marrin rezultat pozitiv në udhëtim te Çekia dhe nëse arrihet kjo gjë, atëherë do të ketë më shumë motiv për ndeshjen ndaj Anglisë.

Sokoli ka lavdëruar formën aktuale të lojtarëve të Kosovës, formë kjo që mund të jetë shumë pozitive për dy ndeshjet e radhës.

“Duke pas parasysh formën e futbollistëve, ngritjen e cilësisë në aspektin tekniko taktik sidomos në planin psikik, na bën të gjithëve që e përcjellim futbollin që me Çekinë të jemi optimist. Duhet me cek se paraqitjet e Muriqit, Celinës, Rashicës në kohën e fundit pse jo edhe të Valon Berishës edhe futbollistëve të tjerë sidomos këta që i përmenda sepse luajnë në ekipet cilësore të Evropës, forma e tyre është në ngritje e sipër, unë dhe të gjithë që punojnë në futboll janë optimist para ndeshjes me Çekinë, sepse duhet të marrim për bazë një edicion apo një seri të ndeshjeve prej 17-18 ndeshjeve vetëm një humbje kundër Anglisë”, u shpreh ai.

Sipas tij, nëse fitojmë ndaj Çekisë, motivi do të rritet dhe do të ketë më shumë mundësi që të kemi rezultat pozitiv ndaj “Tre Luanëve” në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai tha se ndeshja ndaj Çekisë do të këtë rëndësi edhe për ndeshjen ndaj Anglisë.

“Pas Çekisë krejtësisht diçka tjetër do të jetë ndeshja me Anglinë në Kosovë, nëse fitohet ndeshja me Çekinë, atëherë optimisti do të shtohet për ndeshjen kundër Anglisë, por unë mendoj se duhet të shkojmë ndeshje për ndeshje dhe tash krejt forca duhet të jetë të orientuar për ndeshjen me Çekinë dhe pas Çekisë, mund të shohim cilët janë gjasat dhe cilët janë mundësitë, përparësitë dhe për ndeshjen me Anglinë janë krejtësisht rrethanat tjera, luajmë me një gjigantë të futbollit, luajmë si vendas dhe këto duhet merren parasysh për me mujt me paraqitë hipoteza të ndryshme”, vazhdoi ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme