Analisti boshnjak për Asociacionin: Kosova nuk duhet të lejojë të dejtonizohet

Prishtinë | 03 Shk 2023 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe qëndrimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përkitazi me këtë çështje ka ngjallur edhe reagimin e analistëve në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Analisti nga BeH, Jasmin Mujanoviq ka thënë se është e rëndësishme për gjithë Ballkanin Perëndimor që t’i rezistohet me sukses presionit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sepse do të përcaktohet forma e politikës së rajonit për dekadat që vijnë,  raporton Telegrafi.

“Pse ka rëndësi për të gjithë Ballkanin Perëndimor që Kosova t’i rezistojë me sukses fushatës së vazhdueshme të presionit nga Serbia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian që të krijojë një ‘Asociacion të komunave me shumicë serbe’? Sepse është një luftë për të përcaktuar formën e politikës së rajonit për dekadat e ardhshme…”, ka shkruar analisti boshnjak në Twitter.

Ai më tej shkruan se në këtë drejtim, fushata e bullizimit kundër Kosovës është e pandërgjegjshme, e turpshme dhe shkatërruese.

“Kurti ka të drejtë – Kosova duhet të rezistojë”, shkruan ai më tej, duke shtuar se Kurti po insiston për një kornizë që bazohet në të drejtat në Kosovë.

“Kjo është e vetmja mënyrë për të ecur para për një të ardhme euroatlantike për këtë rajon. Nuk ka më ndarje, jo më entitete dhe kantone…”, shkruan Mujanoviq.

Sipas tij, Kurti ka kërkuar që çdo zgjidhje në Kosovë të respektojë standardet demokratike dhe politike të SHBA-së dhe BE-së. “Dhe ai ka të drejtë. Askush në Perëndim nuk do të toleronte të jetonte nën një regjim të stilit të Dejtonit. As Kosova nuk duhet, as boshnjakët nuk do të duhej…”, tha ai.

Sipas tij, kjo do të inkurajonte ekstremistët në gjithë rajonin.

Analisti boshnjak më tej thekson se nëse kampi pro Asociacionit të komunave me shumicë serbe fiton kjo do të nënkuptojë “Dejtonizimin” e Kosovës dhe do të nxisë thirrjet për ndarje të mëtejshme në të gjithë rajonin.

Ndryshe, eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer në një koment në Twitter pas takimit të këshilltarit amerikan Derek Chollet me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiqin ka thënë se vetë-mashtrimi nuk është një politikë e jashtme e mirë.

“Vetë-mashtrimi nuk është një politikë e jashtme e mirë”, shkruan Serwer në Twitter, ku këshilltari Chollet kishte publikuar edhe fotografi me Daçiqin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme