Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, thotë se është i lumtur me skuadrën e tij, mirëpo e pranon se Djajtë e Kuq nuk janë ende gati të garojnë për trofeun e Premierligës, përkundër që po ecin në drejtimin e duhur.
Manchester Unitedi ishte në formë të mirë para suspendimit të futbollit për shkak të pandemisë, në mars, ku kishte arritur t’i regjistronte 11 ndeshje radhazi pa pësuar disfatë, transmeton Gazeta Express.
Djemtë e Solskjaerit u ndanë me barazim 1:1 me Tottenhamin në ndeshjen e parë pas rinisjes së kampionatit në Angli dhe e mirëpritën Marcus Rashfordin dhe Paul Pogban në skuadër, pas shërimit të tyre nga lëndimet e tyre.
Solskjaer e pranon se kthimi i kësaj dyshe i jep skuadrës një shtytje të madhe, mirëpo thotë se ende planifikon të transferojë përforcime gjatë afatit kalimtar, në mënyrë që Manchester Unitedi të jetë më pretendent për titull sezonin e ardhshëm.
“Ne jemi zhvilluar këtë sezon dhe mendoj se e patëm më parë një ecuri prej 11 ndeshjeve pa disfatë. Por, pastaj e shton në shton Paul Pogbën dhe Marcus Rashfordin dhe mendon: “Po, ne s’jemi ende larg dhe jam shumë i lumtur me skuadrën””, ka thënë Solskjaer.
“Nëse do të ketë ndonjë ofertë të mirë dhe ndonjë lojtar që mund të na përmirësojë, natyrisht që ne do të shpenzonim para për këtë. Por, kjo është një skuadër e mrekullueshme për të punuar me të dhe po ec në drejtimin e duhur”.
“Ne nuk jemi aty ku duam të jemi, nuk jemi mjaftueshëm afër për të garuar për trofeun e Premierligës, por ne po ecim përpara hap pas hapi. Natyrisht që City dhe Liverpooli e kanë ngritur standardin gjatë sezoneve të kaluara se në çfarë niveli duhet të jesh për ta fituar ligën”.