Sondazh: Kosovarët nuk bëjnë vizitë vullnetare te mjeku

Prishtinë | 13 Jan 2019 | 12:04 | Nga Ekonomia Online

Oda e Mjekëve të Kosovës në bashkëpunim me KOMS kanë realizuar një sondazh të titulluar “Kujdesi dhe qasja e mjekut ndaj pacientit”.

Ky sondazh ka pas për objektiva matjen dhe njohjen e nivelit të kënaqëshmërisë së pacientëve me ofrimin e shërbimeve mjekësore.

Identifikimi i shkaqeve të pakënaqësisë së pacientëve me shërbimet shëndetësore të pranuara, si dhe matjen e nivelit të njohurive të popullatës lidhur me kompetencat publike dhe rolin e Odës së Mjekëve të Kosovës, shkruan Gazeta Shneta.

Në sondazh janë anketuar 1500 pacientë, ku gjysma prej tyre kanë qenë meshkuj dhe gjysma femra nga 26 komuna të Kosovës. Shumica prej respodentëve kanë qenë të moshës 18-40 vjeç dhe më së shumti intervista janë realizuar në QKUK dhe QKMF të komunave.

Rezultatet e sondazhit lidhur me ankesat më të shpeshta të pacientëve

Mungesa e mjeteve të punës në institucionet shëndetësore – 4 nga 5 pacientë kanë hasur në mungesë të mjeteve të punës tek mjeku

Mosrespektimi i orarit të punës nga ana e stafit – Vetëm 1 në 3 pacientë mendon që mjekët e respektojnë orarin e punës

Mungesa e informacionit mbi barnat dhe efektet e tyre anësore – Gjysma e pacientëve janë të pakënaqur me sqarimet e dhëna nga mjeku mbi përdorimin e barnave dhe efektet e tyre anësore

Mungesa e stafit mjekësor – Më shumë se gjysma e pacientëve mendojnë se stafi është i pamjaftueshëm

Trajtimi jo i barabartë i pacientëve – Vetëm gjysma e pacientëve mendojnë se pacientët trajtohen në mënyrë të barabartë

Pikat ku pacientët janë të kënaqur

Aftësia diagnostike e mjekut – 9 nga 10 pacientë kanë besim në aftësinë diagnostike të mjekut

Gatishmëria e mjekut për tu përgjigjur në pyetje – 9 në 10 pacientë janë të kënaqur me gatishmërinë e mjekut

Sjellja e stafit mjekësor – 9 në 10 pacientë janë të kënaqur me sjelljen e stafit mjekësor

Koha e kushtuar gjatë vizitës – 7 nga 10 pacientë janë të kënaqur me kohën që u kushton mjeku gjatë vizitës

“Pjesa më e madhe e të anketuarve kanë thënë se nuk kanë qenë asnjëherë për vizitë vullnetare te mjeku”, thuhet në anketën e realizuar nga studentët. Madje edhe ata që kanë deklaruar të kundërtën, kanë thënë se nuk iu kujtohet kur e kanë vizituar mjekun.

Pjesa më e madhe e pacientëve kosovarë, rreth 53 për qind janë të kënaqur mesatarisht me shërbimet mjekësore në Kosovë. 24 për qind e tyre janë shumë të kënaqur ndërsa 23 për qind janë pak të kënaqur.

Të ngjashme