Mediat në Serbi vazhdojnë me sondazhe, përmes së cilave po hulumtojnë opinionin publik lidhur me çështjen e Kosovës dhe njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia. Në sondazhin e realizuar nga portali i gazetës “Danas’, 42 për qind e qytetarëve serbë besojnë se qeveria aktuale do ta njohë pavarësinë e Kosovës, kurse në të njëjtin sondazh në Twitter më shumë se 50 për qind e pjesëmarrësve e thonë të njëjtën gjë.
Në sondazhin me pyetjen “Si mendoni se do të zgjidhet çështja e Kosovës gjatë mandatit të qeverisë së tanishme?”, në faqen e internetit të gazetës ‘Danas’ kanë votuar 741 qytetarë.
Shumica e pjesëmarrësve në sondazh, ose 42 për qind prej tyre, besojnë se çështja e Kosovës do të zgjidhet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. 38 për qind e tyre mendojnë se kjo çështje nuk do të zgjidhet gjatë qeverisë së tanishme, kurse 21 për qind e qytetarëve besojnë se do të ndodhë demarkacioni mes Serbisë dhe Kosovës, përcjell Telegrafi.
Në të njëjtin sondazh të bërë në Twitter, ku votuan rreth 600 qytetarë, më shumë se 50 për qind mendojnë se Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Ndërsa, 43 për qind prej tyre mendojnë se do të mbetet status quo lidhur me Kosovën edhe pas qeverisë së tanishme në Serbi, kurse vetëm gjashtë për qind mendojnë se do të ketë demarkacion.
Ndërsa, në sondazhin e kësaj gazete në Facebook “A jeni për demarkacion në mes të Serbisë dhe Kosovës?”, kanë votuar 3,600 qytetarë dhe prej tyre 68 për qind votuan kundër demarkacionit, kurse 32 për qind e kanë votuar në favor të kësaj ideje.
Deputeti i partisë “Nova Srbija” (Serbia e Re), Gjorgje Vukadinoviq, duke komentuar rezultatet e anketës, ka thënë se “kështu si po sillet pushteti, para së gjithash duke pasur parasysh deklaratat e Aleksandar Vuçiqit, kjo tregon se ata janë në kërkim të një forme më pak të dhimbshme që të bëhet njohja e pavarësisë. Qytetarët në sondazhe votuan ashtu pasi nuk e dinë porosinë, respektivisht qëllimin që njohja të ndodhë “.
“Kundër demarkacionint janë ata që kundërshtojnë çfarëdo ndarje të Kosovës, respektivisht ata që janë për Kosovën brenda Serbisë, kjo është arsyeja kryesore, por një tjetër arsye është se njerëzit nuk besojnë shumë në këtë opsion [demarkacion]”, tha Vukadinoviq, përcjell Telegrafi.
Shumë qytetarë e kanë komentuar anketën, duke dhënë mendime të ndryshme mbi këtë temë.
Në një koment thuhej “Njohja faktike e Kosovës menjëherë, që do të thotë se Serbia nuk do ta pengonte më Kosovën të bëhej anëtare e OKB-së dhe e të gjitha organizatave ndërkombëtare. Një vendim i tillë sigurisht që do të përmirësonte pozitën e serbëve në Kosovë, respektivisht marrëdhëniet midis dy shteteve dhe dy popujve”.
Nga ana tjetër, disa vlerësojnë se Serbia nuk mund dhe nuk guxon të heqë dorë nga një pjesë e territorit të saj.
“Serbia është anëtare e Kombeve të Bashkuara me kufij të qartë, duke përfshirë Kosovën në përbërjen e saj, plus Rezoluta 1244,plus gjysma e globit nuk e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, kështu që ai shtet mund të ekzistojnë vetëm në letër. Nuk do ta kemi më mirë nëse heqim dorë nga një pjesë e territorit, kjo mund të shkaktojë probleme të reja rreth kufijve”, thotë njëri lexues në komentin e tij.
Disa, megjithatë, besojnë se gjëja më e rëndësishme është të vijë deri te pajtimi mes dy popujve, në mënyrë që të fillohet me zgjidhjen e ndonjë çështje tjetër.
“Unë jam për pajtim mes dy popujve. Që secili të dënojnë kriminelët e vet dhe pastaj nëse mundemi së bashku, e nëse nuk mundemi, të ndahem”, ka shkruar një qytetar.