Performoi për herë të parë në Angli dhe arriti t’i rrëmbei dy çmime.
Sopranoja e njohur kosovare Elbenita Kajtazi ka qenë pjesë e garës operistike “Glyndebourne Opera Cup 2018” që është mbajtur mbrëmë në Londër të Anglisë. Ajo me zërin e saj ka arritur ta bëj për vete jurinë dhe publikun. Kajtazi ka fituar dy çmime, vendin e tretë dhe atë të publikut, shkruan Indeksonline.
Në një video të postuar në llogarinë e saj Facebook sopranoja kosovare ka folur rreth kësaj gare, ndërsa ka falenderuar të gjithë ata që kanë uruar për këto çmime dhe i qëndrojnë afër.
“Jam jashtëzakonisht shumë e lumtur. Sot i kam marrë dy çmime atë të tretin dhe të publikut. Çmimi i publikut ka jashtëzakonisht një domethënie të madhe për shkak se është hera e parë që unë jam në Angli dhe më të votu një publik që nuk ta ka dëgju zërin asnjëherë, një auditorium prej 2000 vetave për mu jashtëzakonisht do të thotë shumë”.
Elbenita tutje tregon se ka qenë e sëmurë, por që falë dashurisë për skenën ajo ia ka dalë mbanë.
“Kam qenë me grip, por këndimi për mu është diçka shumë e madhe që më sjellë në një botë tjetër”.
Ndërsa këto çmime të rëndësishme ajo thotë që ia dedikon dy prindërve të saj për gjithë sakrificën që kanë bërë.
“Këto çmime shkojnë për krejt njerëzit që i kam pas ngat vetës në jetën tem, mbi të gjitha për prindërit e mij që kanë sakrifiku që unë mu shkollu, jeni prindër shembull dhe s’do t’ia harroj kurrë”.
Kajtazi gjithashtu ka paralajmëruar që lajme të mëdha dhe të rëndësishme do të ketë ditëve në vazhdim. Teksa triumfin e fundit e quajti si “pikë kthyese për karrierën dhe jetën time”.
Në garën në fjalë vendi i parë ka shkuar për sopranen nga Amerika, i dyti nga Franca dhe i treti për kosovaren tonë.
Ndryshe sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka vite që jeton dhe vepron në Gjermani, ajo madje është pjesë e “DeutscheOperBerlin”./Indeksonline/