Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka deklaruar se zbatimi i detyrimeve që burojnë nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksi i Zbatimit mbetet shumë prapa zotimeve të marra nga Prishtina dhe Beogradi.
Në një intervistë për Gazetën Express, Sorensen tha se marrëveshjet janë ligjërisht të detyrueshme dhe se zbatimi i tyre nuk është opsional.
“Zbatimi nuk është në nivelin ku duhet të jetë. Dhe zbatimi nuk është ‘opsional’. Të dyja palët e dinë këtë; BE-ja dhe shtetet anëtare e kanë thënë këtë shumë herë”, deklaroi ai.
Sorensen theksoi se nuk bëhet fjalë për atë se cila palë duhet ta ndërmarrë hapin e parë, por që të dyja duhet të veprojnë pa pritur njëra-tjetrën.
“Nuk bëhet fjalë për atë se kush e bën lëvizjen e parë. Asnjëra palë nuk ka nevojë të presë tjetrën”, u shpreh ai.
Sipas tij, për Kosovën Aneksi i Zbatimit është i qartë lidhur me obligimet që rrjedhin nga neni 7, ndërsa Serbia ka po ashtu detyrime të papërmbushura, përfshirë moskundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe pranimin e dokumenteve e simboleve të Kosovës.
“Detyrimet e Serbisë… qëndrojnë paralelisht. Të dyja janë njësoj të vonuara”, tha Sorensen.
Ai nënvizoi se kalimi i kohës nuk ndryshon detyrimet e marra nga palët.
“Marrëveshja e vitit 2023 dhe Aneksi i saj mbeten në fuqi. Ato janë ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët… Kalimi i kohës nuk ndryshon asgjë”, deklaroi ai.
Duke folur për mundësinë e një takimi të ri në nivel të lartë, Sorensen tha se ai do të mbahet vetëm kur të ekzistojnë kushtet për rezultate konkrete.
“Një takim i nivelit të lartë nuk është shpërblim dhe as mundësi për fotografi. Ai thirret kur mund të ndihmojë në arritjen e ndonjë rezultati”, u shpreh ai.
Sorensen shtoi se angazhimi i niveleve më të larta të Bashkimit Evropian, përfshirë Përfaqësuesen e Lartë Kaja Kallas, nuk mund të zëvendësojë vendimet që duhet t’i marrin vetë Prishtina dhe Beogradi.
“Asnjë aktor i jashtëm nuk mund t’i zbatojë këto marrëveshje në emër të tyre. Këtë mund ta bëjnë vetëm Beogradi dhe Prishtina”, përfundoi ai.