Sot shënohet 37-vjetori i rënies së Nebih dhe Tahir Mehës, të cilët nga kulla e tyre në Prekaz, iu kundërpërgjigjën me armë policisë dhe ushtrisë jugosllave, që kishin shkuar t’i arrestonin.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në Facebook ka shkruar se rezistenca e armatosur e Nebih dhe Tahir Mehës në Prekaz kundër regjimit serb, pas demonstratave gjithëpopullore që kishin nisur anembanë Kosovës në vitet e 80-ta, hapi një kapitull të ri.
“Sot, u bënë 37 vjet nga rënia e tyre, në mbrojtje të familjes dhe kauzës shqiptare. Qëndresa heroike e Nebih dhe Tahir Mehës do të kujtohet gjithmonë”, ka shkruar Thaçi.
Ai tutje ka thënë se vetëdija historike, duke kujtuar dhe nderuar përherë heroizmin e vajzave dhe djemve tanë, ‘ishte udhërrëfyese e pagabueshme për realizimin e synimeve shekullore, lirisë dhe pavarësisë”, ka përfunduar ai.
Kujtojmë se në mëngjesin e 13 majit 1982, forca të mëdha policore dhe ushtarake kishin rrethuar kullën e Nebih dhe Tahir Mehës, të cilëve u kërkuan që të dorëzoheshin, por në vend të dorëzimit, ata iu përgjigjen me të shtëna të pushkëve, ku luftimet zgjatën për tërë ditën, deri në orët e mbrëmjes.
Në luftime heroikisht kanë rënë Nebihu dhe Tahiri, kurse të vdekur kanë mbetur edhe disa polic serbë, numri i saktë i të cilëve nuk është bërë i ditur asnjëherë.
Për nder të dëshmorëve Meha, Komuna e Skenderajt ka njoftuar se mbahen aktivitete përkujtimore. Do të mbahen homazhe tek varrezat e të rënëve në ora 11:00, ndërsa në ora 12:00 pranë kullës muze të Tahir Mehës mbahet tubim përkujtimor.